Gashi ndalon përdorimin e veturave zyrtare gjatë fushatës zgjedhore (Dokument)
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të automjeteve zyrtare në gjatë 24 orëve për stafin politik.
Në vendim e tij është thënë se obligohen zëvendësministrat, këshilltarët dhe stafi tjetër i kabinetit që automjetet zyrtare të cilat i kanë pasur në shfrytëzim 24 orë t’i dorëzojnë dhe t’i kthejnë në parkingun e MKRS-së, duke shfuqizuar çdo vendim të mëhershëm.
Gashi ka thënë se përmes këtij vendimi synohet të parandalohet keqpërdorimi i automjeteve në fushatën zgjedhore, të ruhet imazhi i institucionit dhe të ketë zbatueshmëri të plotë të legjislacionit, njëkohësisht dëshiron të krijoj një praktikë të re institucionale për të të gjithë pasardhësit e tij politik.
“Tashmë kur fillon fushata dhe rritet qarkullimi dhe kontaktimi e komunikimi me sa më shumë qytetarë, me qëllim të parandalimit të keqpërdorimit të veturave zyrtare në kohë fushate zgjedhjesh, kam marr këtë vendim i cili përpos që do të reduktojë shpenzimet e ministrisë, do të ruajë imazhin jo vetëm të institucionit por edhe të personave që janë përgjegjës për veturat zyrtare”, ka thënë Gashi.