Gashi: Ndryshimi i Qeverisë nuk e dëmton Ministrinë e Kulturës
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është duke hartuar 13 projektligje, por që nuk janë proceduar ende për në Qeveri.
Ministri në detyrë i kësaj ministrie, Kujtim Gashi ka thënë se legjislaturën e re të Kuvendit do ta gjejë me një gamë të madhe të ligjeve të cilat janë përgatitur.
“Tashmë jemi duke punuar për një kornizë të re ku janë diku 13 ligje që po punohen aktualisht në MKRS, por që nuk janë proceduar ende në Qeveri dhe besoj se Qeveria e re dhe legjislatura e re e Kuvendit do ta gjejë MKRS-në me një gamë të madhe të ligjeve të cilat janë përgatitur”.
“Ligji për Teatro që do t’u mundësoj gjithë aktorëve të komunave të jenë pjesë e listës së pagave dhe të jenë punëtorë të rregullt të MKRS-së sepse kanë qenë në gjendje të keqe dhe tashmë janë të realizuara dhe shumë ligje tjera si Ligji për Rini që po ashtu i jep mbështetje dhe avancim të madh të rinjve në Kosovë duke ua mundësuar punën vullnetare ta njeh si përvojë pune”, ka thënë Gashi.
Ministri Gashi ka thënë se ka arritur të kaloj më së shumti ligje në Kuvendin e Kosovës. Vetëm me një seancë, ka thënë ai ai kanë arritur që të kalojnë gjashtë ligje.
“Ne e kemi një kornizë të mirë, një fond jashtëzakonisht të madh të akteve ligjore dhe nënligjore të cilat i kemi kaluar në Qeverinë e Kosovës dhe të cilat nuk kanë shkuar deri Kuvend dhe disa tjera që nuk kanë kaluar në Kuvend, për në një seancë i kemi kaluar 6 ligje që janë harmonizuar me ligjin për Kundërvajtje, kemi pas një numër të madh të ligjeve dhe jemi nga ministritë që kemi pasur më shumë ligje në Kuvendin e Kosovës të cilat i kemi kaluar”, ka thënë Gashi për “Ekonomia Online”.
Sipas tij, ndërrimi i Qeverisë dhe shpërndarja e Kuvendit nuk e dëmton aspak këtë ministri.
“Ministrinë tonë nuk e gjejmë keq edhe në momentin kur bëhet ndryshimi i Qeverisë dhe Kuvendit, pra në kuptimin e shtyrjes kemi qenë jashtëzakonisht mirë dhe jemi në një fazë që të kemi një kornizë të madhe të ligjeve të gatshme”, është shprehur Gashi.