Gashi në ShBA: Kosova së shpejti do të bëhet me kamp rinor
Vizita e realizuar në Shtetet e Bashkuar të Amerikës (ShBA) e ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka përfunduar me takime të shumta të cilat janë realizuar me drejtuesit e lartë të YMCA-së në ShBA.
Gashi në kuadër të vizitave që ka realizuar atje, është takuar edhe me Jerry Huncosky drejtor i Frost Valley YMCA me ç’rast i është garantuar mbështetje e fuqishme për ndërtimin e një qendre multi-funksionale rinore në Republikën e Kosovës.
Qendra multi-funksionale edukativo-rinore e cila do të ndërtohet në fshatin Pjetërshan të Gjakovës do të jetë në funksion të edukimit jo-formal dhe promovimit të vlerave të larta pro amerikane dhe evropiane për të rinjtë e vendit tonë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë si ministër nuk do ndalemi së angazhuari që në përputhje me strategjinë tonë për rini të zhvillojmë politika progresive të cilat do të ndikojnë dukshëm në nxitjen e rinisë së vendit tonë në aktivitete dhe programe edukative dhe sociale”, ka thënë Gashi.
Ndërtimi i objektit të YMCA-së në vendin tonë e cila do fillon së ndërtuari gjatë këtij viti në partneritet mes MKRS-së dhe organizatës GWY në Kosovë e cila është anëtare me të drejta të plota në Federatën Evropiane te YMCA dhe drejtohet nga Dorina Lluka-Davies, do t’i hap perspektivë mijëra të rinjve për pjesëmarrje direkte në aktivitete të shumta rinore dhe edukative të cilat po i zhvillon kjo organizatë.
Ministri Gashi ka falënderuar drejtuesit e GWY për Kosovë për kontributin e dhënë gjatë kësaj kohe si dhe përpjekjet e tyre për ndërtimin e kësaj qendre, duke theksuar se ka qene synim i tij që Kosova të behet me një qendër të tillë e cila gjatë tërë vitit do t’i përfshijë të rinjtë në aktivitete dhe organizime te vazhdueshme rinore.