Gashi: Pagat për grevistët e administratës publike u ekzekutuan më 30 shtator

04 tetor 2022 | 11:25

Ndonëse edhe shërbyesit civilë ishin në grevë, të premten, më 30 shtator u janë ekzekutuar pagat për muajin shtator. Por, këto paga nuk i kanë marrë punëtorët e arsimit, të cilët bashkërisht ishin në grevë.

Këtë e ka konfirmuar Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës.

E mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit, Gashi e ka konsideruar tendencë për të shantazhuar dhe frikësuar SBAShK-un.

“Pagat për shërbyesit civilë janë dalë, megjithatë ne si Federatë Sindikale e Administratës Publike, jemi jashtëzakonisht për mosekzekutimin e pagave tek arsimtarët. Kjo është një tendencë për të shantazhuar dhe për t’i frikësuar sindikatat në përgjithësi, dhe me theks të veçantë ta sulmoj SBAShK-un, si sindikatën më të madhe në Republikën e Kosovës. Ne si Sindikatë e Administratës Publike e mbështesim fuqishëm SBAShK-un dhe kërkojmë në të njëjtën kohë nga Qeveria që urgjentisht ta bëjë lëshimin e pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit, pasi është e drejtë e tyre dhe në të njëjtën kohë Qeveria, e cila do të duhej të ishte gardian i ligjshmërisë dhe t’i respektoj ligjet e Kosovës, ajo është shkelësja më e madhe e ligjeve dhe mohuese e kontributit të çmuar të të gjithë të punësuarve në sektorin e arsimit”,ka thënë  Gashi.

Ali Gashi, i cili ishte pjesë edhe Këshillit Grevistë të BSPK-së, përpos ekzekutimit të menjëhershëm të pagave për punëtorët e arsimit, nga Qeveria e Kosovës ka kërkuar takim urgjentë për kërkesat e tyre. /Ksp/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, ka…