Gashi për rastin e Dakës: Presim që në këtë çështje të merret njëherë Avokati i Popullit
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka folur të premten për shkarkimin e ish-kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka.
Gashi në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka thënë se sa i përket kësaj çështje janë duke pritur që Avokati i Popullit të merret me këtë çështje dhe t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
“Kemi mendime të ndryshme sa i përket kësaj çështje. Ne i përkrahim mendimet e Dakës. Për momentin ajo thotë se do të ndjek rrugët ligjore dhe pastaj presim nga institucionet e pavarura kushtetuese që të bëjnë punën e tyre për të parë se sa janë shkelur kategoria e të drejtave të njeriut, pavarësia e institucioneve kushtetuese, etj. Pra Avokati i Popullit le të merret me këtë çështje dhe t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe nëse asnjëra nga këto institucione nuk funksion atëherë do të shohim në aspektin politikë sepse veprimi dhe vlerësimi ynë është politik dhe i drejtohet kapacitetit juridik dhe Gjykatës Kushtetuese. Presim në këtë çështje që të merret Avokati i Popullit”, thënë Gashi.