Gashi për sulmin e Halitit ndaj tij: Ky incident do të duhej të përfundonte në Kuvend
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka thënë se ngjarja e vitit 2018 në Kuvendin e Kosovës, për çfarë është duke u akuzuar deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, nuk ka qenë sulm, por një aksident që do të duhej të përfundonte aty.
Sipas Gashit, nuk a pasur asgjë personale në mes të tij dhe Halitit, përveçse një debati në Kuvend.
Këtë deklaratë, ai e ka bërë në seancën gjyqësore të enjten, ku Haliti është duke u akuzuar se ka sulmuar Gashin në Kuvendin e Kosovës në maj të vitit 2018.
Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja e shtetit, Merita Shala- Muhaxhiri, Haliti me dashje e ka sulmuar deputetin Arben Gashi.
Mirëpo, ky i fundit, konsideron se e gjithë ngjarja ka qenë një aksident, dhe meqenëse nuk ka natyrë personale, do të duhej të përfundonte në Kuvend.
“Kjo çështje ka qenë aksidentale. Ka ndodhur në Kuvend dhe do të duhej të përfundonte në Kuvend. Nuk më kujtohet saktë, por ka mundësi të jetë e vërtetë. Arsyeja pse mendoj që është çështje e Kuvendit është sepse debati është bërë në Kuvend, shtyrja ka filluar në Kuvend dhe s’ka pasur asgjë personale, të paktën ashtu e kam konsideruar unë”.
“Kryesuesi i seancës më ka thënë se nuk do të ma japë fjalën dhe pastaj kemi eskaluar në ofendime personale”, ka thënë Gashi, raporton “EO”.
Edhe i akuzuari, Xhavit Haliti ka thënë se me Gashin kanë pasur gjithmonë raporte të mira, edhe si fqinj, por edhe si deputetë.
Ai madje ka thënë se një javë pas ngjarjes, ai dhe Gashi, janë përqafuar në korridorin e Kuvendit.
Ndërsa, avokati mbrojtës i Halitit, Kujtim Kërveshi, ka kërkuar që provat e paraqitura nga prokuroria, në këtë rast video-incizimet, të jenë “autentike”.
Sipas tij, incizimet e paraqitura janë të prera dhe të rregulluara me montazh për shërbime mediale dhe “është e çuditshme pse prokuroria propozon incizime të komentuara dhe të analizuara nga mediumet”, ka thënë ai.