Gashi për vdekjen e Binakut: Gazetaria sportive humbi zërin përçues

09 shkurt 2018 | 16:07

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka ngushëlluar familjarët e familjes së Agim Binakut, i cili sot u nda nga jeta.

Telegram ngushëllimi i ministrit Kujtim Gashi:

E nderuara familja Binaku,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të gazetarit tonë të njohur të gazetarisë sportive, Agim Binaku.

Kosova, sot ka humbur njërin nga punëtorët më të devotshëm të gazetarisë në përgjithësi dhe gazetarisë sportive në veçanti, ka humbur një profesionistë të vërtetë, një njeri të mirë e vetëmohues. Gazetaria sportive ka humbur zërin e vet përçues, ka humbur njeriun e madh, siç ishte Agimi.

Ai ka dhënë kontribut të çmuar në gazetarinë sportive në Kosovë e sidomos në vitet ’90 si themelues dhe kryeredaktor i revisave të para sportive në vend.

Me punën e tij, përkushtimin dhe profesionalizmin ka bërë që të jetë mik i respektuar i gjithë atyre që e kanë njohur. Me emisionet e tij, dokumentarët, reportazhet e me intervistat me emrat e njohur të sportit vendor e botëror, ka bërë që të jetë i vlerësuar jo vetëm në botën e sportit por dhe më gjerë, duke u nderuar me çmime ndërkombëtare të gazetarisë sportive e me mirënjohje të shumta.

Ndarja e Agim Binakut nga jeta është humbje e rëndë jo vetëm për familjen dhe miqtë, por është humbje për gazetarinë, për sportin, sportistët dhe sportdashësit dhe për të gjithë ne.

Ne përherë do ta kujtojmë me respekt angazhimin dhe kontributin e tij të çmuar si gazetar sportiv.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Agim Binakut, ngushllime sportistëve dhe sportdashësve.

Sinqerisht,

Kujtim Gashi

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Leart Hoxha Ndeshja e hendbollistëve të Prishtinës me Arkatronin…