Gashi: Pozicionimi i Kurtit në dialog është i dëmshëm dhe i rrezikshëm
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se pozicionimi i kryeministrit, Albin Kurti në dialogun me Serbinë është i dëmshëm dhe i rrezikshëm.
Ai ka komentuar deklarimet e sotme të Albin Kurtit, i cili është shprehur se marrëveshja, e cila po negociohet nuk është finale. Gashi në konferencë për media, ka thënë se katër faktet e përmendura nga ai, kanë lëvizur në mënyrë drastike boshtin e qëndrimeve institucionale të Kosovës.
“Sot e kemi thirr në vazhdën e seancës e cila pat zhvillime të paparashikueshme dhe deklarime te jashtëzakonshme nga ana e kryeministrit. I cili deklaroi se marrëveshja e cila po negociohet nuk është marrëveshje finale, nuk është ligjërisht e obligueshme dhe nuk ka garanci ndërkombëtare sa i përket njohjes reciproke. Këto ishin katër fakte për të cilat ne i morëm vesh sot zyrtarisht nga kryeministri i Kosovës. Të cilat e lëvizin në mënyrë drastike boshtin e qëndrimeve politike dhe qëndrimeve institucionale të Kosovës dhe të cilat ne vlerësojmë që e dëmtojnë shumë pozicionin e Republikës së Kosovës në bisedime me Serbinë”, ka thënë Gashi.
Gashi ka thënë se do të kërkojnë që të hënën të diskutohet në seancë plenare për këto çështje dhe se për këtë mund të diskutohet edhe me dyer të mbyllura.
“Ne kërkuam dhe propozuam në mënyrë formale pas deklarimeve të kryeministrit që është i gatshëm të diskutojë çështjen në detaje, propozuam që të kemi pikë të rendit të ditës çështje të karakterit urgjent sipas rregullores së punës së kuvendit dhe të diskutojmë lidhur me bisedimet me Serbinë por e çuditshme edhe pse kryeministri e premtoi publikisht qe është i gatshëm të bisedojë, refuzoi duke i kërkuar deputetëve të LV-së që të votojnë kundër këtij propozimi për të trajtuar këtë çështje, e cila ishte e karakterit urgjent sepse këto katër fakte kanë qenë të paditura për opinionin publik dhe për politikën në Kosovë. Ne jemi insistues që debati të mbahet sa më shpejtë dhe do të kërkojmë përsëri që debati të mbahet ditën e hënë dhe besojmë që në këtë debat do të marrim më shumë informacione. Do të shohim për çështjen e sensibilitetit a do të jetë me dyer te hapura apo të mbyllura”, ka thënë Gashi.