Gashi: Presim SBASHK-un deri të shtunën, vendimi për zëvendësimin e orëve mbetet në fuqi
Këshilltari politik i Ministrit të Arsimit, Valmir Gashi ka thënë se Ligji i grevave nuk thotë se kompensimi i orëve është i ndaluar.
Gashi ka thënë se vendimi i MASHT për zëvendësimin e orëve ka qenë në koordinim me drejtoritë komunale të arsimit.
Ai ka thënë se Ministria e Arsimit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit janë përgjegjëse për zhvillimin arsimit në Kosovë dhe sipas tij për këtë shkak nuk ka qenë e arsyeshme që në këto takime të ftohen edhe përfaqësuesit e SBASHK-ut.
“Nuk kemi hartuar politika për arsimin para universitar që të përfshijmë edhe ekspertizën e SHBASHK-ut”, tha ai, përcjell “Telegrafi”.
Këshilltari politik i Ministrit të Arsimit ka thënë se vendimi i MASHT-it për zëvendësimin e orëve mësimore, sipas planit 5+5+5, është në fuqi dhe ai mbetet për t’u zbatuar. “Ne presim gjatë kësaj jave reflektim nga ana e SBASHK-ut për të mos u dëmtuar nxënësit dhe për të zëvendësuar orët e humbura. Komunat dhe shkollat e kanë një lloj lirie që të vendosin cilat të shtuna do t’i zëvendësojnë orët e humbura mësimore”, ka deklaruar Gashi.