![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2024/02/gashi.jpeg)
Gashi që përkrahet nga Kurti me deklaratë skandaloze: A jeni me Vuçiqin e Ali Ahmetin apo me opozitën dhe Albin Kurtin?
Afrim Gashi, kryetari i Alternativës, partisë përbërëse të koalicionit opozitar të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut tha se beteja politike atje “është bërë më e qartë”.
Gashi e ka rreshtuar në njërën anë Ali Ahmetin, kryetarin e partisë më të madhe të shqiptarëve në RMV (BDI) dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si kundërshtarë të bashkuar të koalicionit të tyre dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka mbështetur këtë koalicion.
“Prej sonte beteja jonë politike është bërë edhe më e qartë. Pyetja e zgjedhjeve të 8 majit do të jetë: ‘A jeni me Vuçiqin e Serbisë e Ali Ahmetin apo jeni me opozitën e bashkuar shqiptare – Lidhja Evropiane për Ndryshim dhe Albin Kurtin?’. Më pastër se kaq nuk mund të bëhej. Njësoj edhe më lehtë për të vendosur”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.
Gashi e ka marrë shkas nga një deklaratë e cituar në media, ku thuhet se Vuçiqi ka thënë se Kurti “dëshiron ta sundojë edhe Maqedoninë e Veriut”.
“Po, seriozisht, ai dëshiron ta mposhtë Ali Ahmetin dhe BDI-në për të sunduar në Maqedoni pas zgjedhjeve të majit”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Nga BDI-ja, pas këtyre deklaratave kanë thënë se Ali Ahmeti e ka mposhtur Vuçiqin me luftë, “bashkë me Hashimin, Ramushin, Kadrinë, Rexhepin, Adem e Hamzë Jasharin, Fehmi e Xhevë Lladrovcin”, duke e akuzuar presidentin e Serbisë se është angazhuar të ndërhyjë në zgjedhjet parlamentare në RMV.