Gashi: Qeveria në dorëheqje nuk ka legjitimitet ta dërgojë projektbuxhetin në Kuvend
Edhe pse nuk përjashtohet mundësia që vendi të futet në krizë buxhetore, Qeveria në dorëheqje nuk është duke arritur të bëjë zgjidhje pasi nuk ka legjitimitet që ta procedojë në Kuvendin e Kosovës Projektbuxhetin për vitin 2020.
Rreth 400 mijë qytetarë mund të mbesin pa të ardhura pas 1 prillit. Një problem tjetër në të cilin është futur vendi pas zgjedhjeve të 6 tetorit është se investimet kapitale janë të bllokuara tërësisht deri në miratimin e buxhetit, e të cilat kanë impakt negativ në aspektin ekonomik, ka deklaruar në një intervistë për “Kosovapress” zëvendësministri në detyrë i Financave, Fatmir Gashi.
Sipas tij, në rast të mos miratimit të ligjit të ri për buxhetin nga Qeveria e re dhe Kuvendi, të gjitha pagesat, duke përfshirë pagat që nga organet e sigurisë e deri te shërbimi civil, pensionet dhe asistencat e tjera sociale, shërbimet publike si dhe të gjitha obligimet e tjera buxhetore do të ndërpriten nga 28 shkurti, përkatësisht 31 mars nëse ka vendim nga Kuvendi.
Gashi ka bërë me dije se më 31 tetor 2019 e kanë dorëzuar në Qeveri propozim-buxhetin për vitin 2020, por kjo e fundit nuk ka mundur të aprovojë atë dhe ta dërgojë në Kuvend, pasi ky i fundit nuk ishte konstituuar.
Për më tepër, Gashi ka thënë se propozim-buxheti mund të trajtohet dhe procedohet nga Qeveria e re te Kuvendi i konstituuar, si organe të nxjerra nga zgjedhjet e fundit parlamentare.