Gashi: Rënia e Skenderit dhe Fatmirit ishte madhështore e papërshkruar me fjalë
Në 22 vjetorin e rënies në altarin e lirisë, nëpërmes një postimi në Facebook, Naim Gashi, ka përkujtuar dy dëshmorët e kombit, Fatmir Hysenin dhe Skender Gashin, për të cilët ka thënë se rënie e tyre ishte madhështore, e papërshkruar me fjalë.
“Sot Fatmiri e Skenderi pushojnë në Varrezat e Lavdisë, bashkë me gjithë dëshmorët e Llapit. Ideali i tyre ishte një Kosovë e lirë, e përparuar, ku fëmijët dhe gjeneratat e reja nuk rriteshin sikurse u rritëm ne, por të rriteshin të sigurt dhe të kishin të ardhme të ndritur”, ka shkruar Gashi.
Postimi i plotë i Gashit,
Sot ishte 22 vjetori i rënies së dëshmorëve Fatmir Hyseni dhe Skender Gashi.
Derisa Skenderin e kisha kushëri dhe ishim rritur bashkë, me Fatmirin u njohëm si fëmijë në fundin e viteve të 80-ta. Nuk u njohëm në shkollë ose në ndonjë vend ku frekuentojnë fëmijët, por para dyerve të burgjeve. I kishim vëllezërit pjesëtarë të një grupi që vepronin për lirinë e Kosovës dhe gjykoheshin për “veprimtari armiqësore”. Me Fatmirin pata fatin të jem shok gjenerate edhe në Gjimnazin e Podujevës. Ishte djalë i heshtur, i gjatë dhe i pashëm. Ai fliste pak, por vepronte shumë.
Për shkak se ishin rritur në familje atdhetare, Fatmiri e Skenderi ishin ndër të parët që iu bashkuan UÇK-së deri në ditën e rënies, pikërisht si sot 22 vjet më parë.
Qëndresa dhe rënia e Fatmirit dhe Skenderit ishte madhështore. E papërshkrueshme me fjalë.
Sot Fatmiri e Skenderi pushojnë në Varrezat e Lavdisë, bashkë me gjithë dëshmorët e Llapit.
Ideali i tyre ishte një Kosovë e lirë, e përparuar, ku fëmijët dhe gjeneratat e reja nuk rriteshin sikurse u rritëm ne, por të rriteshin të sigurt dhe të kishin të ardhme të ndritur.
I përkulur pranë varreve të tyre, edhe sot e mot, për Fatmirin e Skenderin, nuk e fsheh dot mallin, por edhe krenarinë që i njoha.
Lavdi dëshmorëve të kombit Fatmir Hyseni, Skender Gashi dhe gjithë dëshmorëve të rënë për liri!