Gashi: Rryma po shtrenjtohet rreth 300 për qind
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se me tarifat e reja të energjisë elektrike të propozuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji, çmimi i rrymës rritet rreth 300%.
“Sot qytetarët e Kosovës po përballen me një krizë të jashtëzakonshme dhe me një kërcënim nga Qeveria për rritjen e çmimit të energjisë elektrike rreth 300%”, ka deklaruar ai.
Gashi e akuzoi specifikisht kryeministrin Albin Kurti për deklaratat e tij të mëhershme.
“Pra, para një viti, kryeministri i sotëm e projektonte veten si një magjistar politik që do ta ndryshonte edhe rendin botëror. I ishte krijuar përshtypja për vete që bota ishte në pritje të tij, e tani kur ka kaluar një vit, as s’u shndrërrua në politikan botëror, por u shndërrua në një politikan i cili prodhon përditë probleme për vendin”, ka shtuar Gashi.
Ai ka deklaruar se Kurti nuk ka ofruar asnjë zgjidhje, ndërsa shtoi se pajtohet se pjesërisht fajin për situatën aktuale e kanë edhe qeveritë e kaluara.
“Nuk ofrove asnjë zgjidhje. Sot del e ankohesh se qeveritë e mëhershme e kanë fajin. Pajtohem me ty që pjesërisht fajin e kanë edhe qeveritë e mëhershme. Kryetarja e grupit tënd parlamentar del e akuzon se qeveritë paraprake se kanë faj në distribucion, kanë faj në privatizim, vetë ka qenë në krye të atyre punëve”, ka deklaruar Gashi.