Gashi: Së shpejti në Berlin, një përfaqësues permanent i Ministrisë së Diasporës
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka vizituar qytetin e Shtutgardit në landin e Baden Vutenbergut ku jetojnë rreth 120 mijë shqiptarë.
Gjatë takimit me përfaqësues të shoqatave nga qytete të ndryshme mbajtur në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtutgard, ai i ka informuar për proceset nëpër të cilat po kalon Ministria e Diasporës në këtë moment, si dhe për planet në të ardhmen e afërt që pritet të jetësohen në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Diasporës të Shqipërisë sipas marrëveshjeve të nënshkruara.
“Shumë shpejt, ne do të emërojmë një person përfaqësues të Ministrisë tonë në Ambasadën e Kosovës në Berlin, i cili do të merret ekskluzivisht me kërkesat dhe shqetësimet tuaja, pra do të jetë personi kontaktues për ju. Kjo do ta bëjë shumë të lehët edhe bashkëpunimin dhe komunikimin mes nesh”, ka thënë Gashi.
Ministri po ashtu, në pyetjet rreth kartonit të gjelbër, tregoi se pagesa online që do të evitojë pritjet e gjata në kufi, është vetëm çështje javësh kur edhe do të fillojë së funksionuari, ndërsa është duke u punuar edhe në eliminimin e tërësishëm të kësaj pagese, por që si proces mund të merr kohë.
Diaspora gjermane është kontribuuesi më i madh në Kosovë me anë të remitancave të cilat arrijnë shumën e rreth 350 milionë euro në vit, ndërsa po ashtu prin edhe me shumën e investimeve të bëra në Kosovë nga afaristët shqiptaro-gjerman.