Gashi: Seria pozitive e Ballkanit nuk ndalet
Kushtrim Gashi ka shprehur optimizëm se skuadra e Ballkanit do ta vazhdojë serinë fantastike të rezultateve edhe në ndeshjet vijuese.
Mesfushori Kushtrim Gashi të enjten ka thënë për “Epokën e re” se kundërshtari si skuadër kampione në fuqi nuk ka treguar aq shumë në përballjen e zhvilluar të mërkurën në Suharekë, pasi në asnjë çast nuk ka arritur ta rrezikojë skuadrën lidere të Superligës, Ballkanin. “Drita si kampione nuk tregoj shumë, ndërsa për ne ishte një ndeshje si të gjitha ndeshjet e tjera që i qasemi shumë seriozisht dhe në këtë ndeshje shënuam gol herët dhe e menaxhuam ndeshjen shumë mirë, duke mos lejuar të rrezikohemi për asnjë çast”, ka deklaruar Gashi.
Skuadra e Ballkanit edhe në edicionin e kaluar kishte një ecuri fantastike, por pas rikthimit të futbollit nga pushimi i detyrueshëm nga pandemia Covid-19, bëri disa gabime dhe e humbi garën për titull dhe kupë. Kjo skuadër po tregon formë fantastike edhe në këtë kampionat, ku në shtatë ndeshjet e zhvilluara deri tash, ka regjistruar gjashtë fitore dhe një barazim, kurse është e vetmja skuadër pa humbje në elitë. Lidhur me formën e skuadrës, Gashi ka shprehur optimizëm se suharekasit do të vazhdojnë të jetë të fortë edhe në ndeshjet e radhës për faktin se janë mirë të përgatitur fizikisht dhe kanë fond të madh me futbollistë cilësorë. “Kemi pasur një ecuri shumë të mirë në këto shtatë ndeshje dhe kemi punuar shumë që të kemi vazhdimësi të rezultateve pozitive edhe në ndeshjet e radhës, ku kemi lojtarë shumë cilësorë dhe cilido mund ta zëvendësojë tjetrin. Kampionati është i gjatë dhe shumë i rëndësishëm, kurse për ne më e rëndësishmja është ndeshja e radhës”, ka thënë Gashi.
Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi, pas shtatë xhirove të zhvilluara, zë pozitën e parë me 19 pikë, e dyta është Prishtina me 11 pikë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.
(Veton ZYMBERI)