Gashi: Sindikalistët e arsimit me qëndrime kontradiktore
Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, ka pritur në takim të gjithë drejtorët dhe kryetarët e sindikatave të shkollave në këtë komunë me të cilët ka biseduar për vijimin e mësimit të rregullt në shkolla.
“Pas vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagave të mësimdhënësve, sot prita në një takim pune të gjithë drejtorët dhe kryetarët e sindikatave të shkollave në komunën e Obiliqit. Bashkëbiseduam dhe ndamë shqetësimin e përbashkët e të gjithë prindërve – nxënësve për mos vijimin e mësimit të rregullt, ku bashkërisht u pajtuam që mësimi duhet të fillojë sa më parë. Ndërsa kryetarëve të sindikatës të cilët kishin qëndrime kontradiktore dhe të kundërta, ju kërkova që të gjendet një mënyrë tjetër e protestës dhe të fillohet procesi i rregullt mësimor, duke e pasur parasysh se janë nxënësit ata që po e pësojnë më së keqi”, ka shkruar Gashi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Me këtë rast, Gashi ka kërkuar nisjen e procesit arsimor nga nesër ( e martë).
“Si kryetar i Komunës, ju bëjë thirrje të gjithë mësimdhënësve të kenë parasysh humbjet që janë duke ju shkaktuar nxënësve, të kontribuojnë që të gjendet një zgjidhje për të filluar procesin mësimor nga nesër, me datë 22.01.2019”, ka shkruar Gashi.
/Epoka e re/