Gashi: Me sponsorizim në kulturë, rini dhe trashëgimi do të kemi edhe ngritje të performancës
Nën organizimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, është mbajtur të martën tryeza e diskutimit lidhur me aktet ligjore që kanë të bëjmë me sponsorizimin, dhe përfitimet që dalin nga këto politika të reja të MKRS-së për palët përfituese si dhe për bizneset.
Në këtë tryezë mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.
Ministri me këtë rast ka folur rreth Ligjit për Sponzorizime duke thënë se ky Ligj rregullon përkrahjen dhe mbështetjen financiare e materiale të aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive përmes sponsorizimeve dhe reklamave.
Ndër të tjera, ministri Gashi ka theksuar se përmes sponsorizimit të aktiviteteve të ndryshme në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit realizohet interesi i përgjithshëm i cili sjell përmirësimin e jetës individuale dhe shoqërore të qytetarëve, organizatave biznesore, fondacioneve, personave fizik dhe juridik në Republikën e Kosovës.
“Qëllimi i sponsorizimit është realizimi, përkrahja, promovimi dhe mbështetja e veprimtarive dhe aktiviteteve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit”, ka thënë Gashi, duke shtuar se kur është proceduar ligji ka qenë i paraparë të jetë 20 për qind por deputetët kanë vendosur që të jetë 30 për qind. “Është ligj që ashtu e kemi gjetur. Ne kemi nxjerrë një rregullore e cila e lehtëson zbatimin e këtij ligji. Tani ka mbetur koordinimi me Ministrinë e Financave. Besoj që deri në qershor t’i kemi të harmonizuara të gjitha”, ka thënë ministri Gashi.
Po ashtu, Gashi ka pohuar se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nxjerr Rregulloren për Përcaktimin e Kritereve, Procedurave dhe Formës për Vërtetimin e Sponsorizimit në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila është e nënshkruar dhe është në fuqi ku gjatë hartimit të kësaj rregullore pjesë të ekipës punuese kanë qenë edhe përfaqësuesit e Administratës Tatimore të Kosovës të cilët kanë dhënë kontributin e tyre.
“Me fillimin e zbatimit të këtij Ligji dhe akteve tjera nënligjore që lidhen me këtë Ligj, do të kemi avancim dhe ngritje të performances nga këto tri fusha dhe njëkohësisht Ministria e Kulturës do të ketë mundësi që buxhetin e destinuar për aktivitetet sportive, kulturore dhe rinore ta zvogëloj dhe të njëjtin ta orientoj në infrastrukturën kulturore, rinore dhe sportive e cila do të shërbej në plotësimin e standardeve të përcaktuara nga UEFA dhe FIFA”, ka thënë ministri Gashi.