Gashi, sportist i vitit 2017 në Rahovec
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Rahovecit ka organizuar ceremoninë për shpalljen e sportistit të vitit 2017 ku janë përzgjedhur më të mirët në shumë sporte.
Drejtori i Drejtorisë për KRS, Ervin Hoxha, u shpreh i nderuar që i është ofruar rasti të jetë me më të mirët e Rahovecit dhe apostrofoi sfidat nëpër të cilat ka kaluar sporti në qytetin e rrushit, por edhe në gjendje jo të lakmueshme, kurse basketbollistët e Rahovecit ishin ata që e rrumbullakojnë vitin e suksesshëm. Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se gjatë mandatit të tij do të jetë partner serioz i sportistëve, ndërkaq theksoi se për palestrën janë dedikuar mjete financiare, duke bërë me dije se tenderi është në rivlerësim. Me mirënjohje janë nderuar futbollisti i KF Rahoveci, Muhamed Shehu, Xhemali Veliu nga Shoqata e Peshkatarëve, Fidan Kryeziu futbollist i KF Xërxa, grupi i tifozëve “Ultras Vreshtarët”, shahistet Hafife Kollari dhe Enesa Sharku.
Po ashtu, me mirënjohje janë nderuar sportistët rahovecas jashtë vendit, shahistët Murtez Hondozi dhe Hysen Sharku dhe boksieri Habib Vuçitërna. Si lojtar jorahovecas është nderuar me mirënjohje të veçantë basketbollisti Mustafë Merovci, ndërsa Meriton Korenica me mirënjohje për kontribut në KF Liria.
Klubi më i mirë u shpall KB Rahoveci, trajneri më i mirë Fadil Vuçitërna, punëtor më i mirë sportiv Fidan Rama i KB Rahoveci, ndërsa epiteti i sportistit më të mirë të Rahovecit për vitin 2017 i takoi basketbollistit të KB Rahoveci, Yll Gashit.