Gashi: Sylejman Selimi po mbahet në burg me prapavijë politike

30 tetor 2018 | 15:50

Avokati mbrojtës i Sylejman Selimit, Tomë Gashi, ka thënë se klienti i tij është duke u mbajtur padrejtësisht në burg.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se Selimi është duke e vuajtur dënimin pa aktgjykim të plotfuqishëm.

“Duke mos pasur aktgjykim të plotfuqishëm, mbajtja e Sylejman Selimit në vuajtje të dënimit është shkelje e Kodit Penal, e Kodit të Procedurës Penale, e Kushtetutës së Kosovës si dhe e të gjitha konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të cilat Kosova i ka inkorporuar në sistemin juridik”, është shprehur Gashi.

Sipas tij, Selimi është duke u mbajtur në burg për arsye me prapavijë politike. “Qëndrimi i Sylejman Selimit dhe i imi si avokat i tij është se nuk ka asnjë arsye juridike për ta mbajtur atë në burg dhe të vetmet arsye janë me prapavijë politike, të cilat ai më së miri do t’i shpjegojë me rastin e lirimit të tij. Pas lirimit të z. Sylejman Selimi mund të flas haptas, me emra dhe mbiemra se kush qëndron prapa gjithë kësaj padrejtësie që është duke iu bërë atij”, ka deklaruar avokati Gashi.

“Epoka e re”: Z. Gashi, edhe më tutje klienti juaj, Sylejman Selimi, po mbahet në burg. Për çfarë arsye Gjykata Supreme nuk po e liron Selimin?
Gashi: Gjykata Supreme e Kosovës sipas vetë gjeneral Sylejman Selimit nuk po e liron atë, sepse ky rast ka motive politike dhe prapa aktgjykimit të mëhershëm me të cilin është dënuar Sylejman Selimi dhe të tjerët në rastin ‘Drenica’ kanë qëndruar arsyet politike. Nuk ka pasur asnjë arsye as që të dënohet Syljeman Selimi me deklaratë të një personi me diagnozë të skizofrenisë, e cila është vërtetuar edhe nga ekspertët e psikiatrisë gjatë gjykimit. Rasti i z. Sylejman Selimi më 11 qershor 2018 është kthyer në rigjykim dhe rivendosje nga vetë Gjykata Supreme e Kosovës, duke i anuluar të gjitha aktgjykimet e mëhershme dënuese kundër tij. Që nga kjo datë nuk ka pasur asnjë arsye ligjore që z. Sylejman Selimi të mbetet në burg në vuajtje të dënimit pa aktgjykim të plotfuqishëm. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka anuluar edhe aktgjykimin e plotfuqishëm sa i përket rastit ‘Drenica 2’ dhe e ka kthyer rastin në Gjykatën Supreme të Kosovës për të vendosur lidhur për kërkesën e mbrojtjes së ligjshmërisë. Kryetari i Gjykatës Supreme gabimisht pretendon se Sylejman Selimi është në vuajtje të dënimit kinse me një aktgjykim tjetër e që në të vërtetë është aktgjykimi me të cilin është bërë bashkimi i dënimeve në rastet ‘Drenica 1 dhe 2’ dhe me vetë faktin se aktgjykimi në rastin ‘Drenica 1’ është anuluar në tërësi dhe rasti është kthyer në rigjykim dhe rivendosje. Aktgjykimi mbi bashkimin e dënimeve është faktikisht aktgjykim nul-inekzistent ngaqë nuk mund të qëndrojë kur nuk kemi fare aktgjykim të plotfuqishëm në këtë rast. Duke mos pasur aktgjykim të plotfuqishëm, mbajtja e Sylejman Selimit në vuajte të dënimit është shkelje e Kodit Penal, e Kodit të Procedurës Penale, e Kushtetutës së Kosovës si dhe e të gjitha konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të cilat Kosova i ka inkorporuar në sistemin juridik.

“Epoka e re”: Cilët janë hapat që do t’i ndërmerrni tash e tutje si palë mbrojtëse?
Gashi: Ne ekipi mbrojtës i z. Selimi, avokatët Gregor Guy Smith, Colleen Rohan dhe unë, jemi duke bërë çdo gjë në aspektin juridik që z. Sylejman Selimi të lirohet sa më shpejt që është e mundur ngaqë tanimë të gjithë e dinë se ai është duke u mbajtur në vuajtje të dënimit inekzistent, pa aktgjykim të plotfuqishëm.

“Epoka e re”: Ju përmes një postimi në “Facebook” keni paralajmëruar publikimin e një dokumenti përmes të cilit pretendohet se kryetari i trupit gjykues ka thënë se ‘nëse i dënoj të akuzuarit (gjeneral Sylejman Selimin, Sami Lushtakun dhe 15 komandantë dhe ushtarë të tjerë të UCK-së) ai do të gjejë punë gjithkund në Bashkimin Evropian’. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Gashi: Ne do të publikojmë dokumente me të cilat vërtetohet ajo që kemi deklaruar, se e ka thënë kryetari i trupit gjykues në rastin ‘Drenica 1 dhe 2’, gjyqtari Darius Selicki.

“Epoka e re”: Ka rrezik që Selimi të mos lirohet fare meqë qëllimi i trupit gjykues qenka dënimi me ose pa fakte për përfitime të karrierës së tij?
Gashi: Qëndrimi i vet Sylejman Selimit dhe imi si avokat i tij është se nuk ka asnjë arsye juridike për ta mbajtur atë në burg dhe të vetmet arsye janë me prapavijë politike, të cilat ai më së miri do t’i shpjegojë me rastin e lirimit. Pas lirimit të z. Sylejman Selimi mund të flas haptas, me emra dhe mbiemra se kush qëndron prapa gjithë kësaj padrejtësie që është duke iu bërë atij.

“Epoka e re”: Mos ju si avokat nuk po jeni i zoti të mbroni Selimin në këtë betejë gjyqësore?
Gashi: Sa i përket zotësisë sime për ta mbrojtur Sylejman Selimin, është krejtësisht e kundërta. Ne kemi shkathtësi juridike që ta mbrojmë juridikisht Sylejman Selimin, por një gjë e tillë është pothuajse mision i pamundur kur gjykatat në Kosovë në raste të caktuara nuk i respektojnë qëllimisht aktgjykimet e veta.

Shqipe HETEMI 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tjetër humbje për LA Lakers, që u mposhten me rezultat…