Gashi takon shefin e ri të UNHCR-it, flasin për migrimin
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bejtush Gashi, ka pritur të hënën në takim shefin e ri të misionit të UNHCR-it në Kosovë, Erol Arduc, i cili shoqërohej nga Narasimha Rao, ish-shef i këtij misioni.
Fillimisht Gashi e ka uruar Arducin për detyrën e re, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me misionin e UNHCR-it në Kosovë dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim edhe me shefin e ri, me qëllim të realizimit të projekteve të përbashkëta.
Në këtë takim është diskutuar edhe për projektet e përbashkëta të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe UNHCR-së në fushën e migrimit, duke vlerësuar se institucionet e Kosovës janë duke menaxhuar mire çështjen e azilkërkuesve në Kosovë.
Ministri Gashi e ka njoftuar Arducin edhe për rezultatet konkrete të realizuara nga MPB-ja në fushën e migrimit, duke konstatuar se Republika e Kosovës tashmë ka konsoliduar një mekanizëm funksional në fushën e migrimit dhe po punohet në ngritjen e kapaciteteve operacionale në këtë fushë.
Ndërsa ish-shefi i misionit të UNHCR në Kosovë, Narasimha Rao, e ka falënderuar ministrin Gashi për pritjen dhe MPB-në në përgjithësi, për mundësitë që gjatë qëndrimit të tij në Kosovë të gjejë partner serioz për të realizuar objektivat e përbashkëta.
Ai ka theksuar se bashkëpunimi i mirë do të vazhdojë edhe me shefin e ri.
/Epoka e re/