Gashi: Terrorizmi dhe ekstremizmi, kërcënimet kryesore të sigurisë
Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, po merr pjesë në Samitin e Londrës, në kuadër të Procesit të Berlinit, ku po marrin pjesë ministrat e brendshëm të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të shteteve të Procesit të Berlinit dhe të institucioneve në fushën e sigurisë.
Në këtë samit ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, duke diskutuar çështjet ndërsektoriale të sigurisë, vuri në dukje përpjekjet që po bën Republika e Kosovës sa i përket luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Me këtë rast ministri Gashi ka theksuar se terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm vazhdojnë të mbeten kërcënimet kryesore të sigurisë, duke kërcënuar jo vetëm jetën dhe pronën, por edhe vlerat demokratike dhe mënyrën e jetesës së shoqërisë.
Ai ka thënë se trendi global i terrorizmit dhe shtrirja e tij, sidomos gjatë dy dekadave të fundit, ka kërcënuar gjithë rajonin, Evropën dhe më gjerë.
“Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj të specializuara do të vazhdojnë ta luftojnë deri në fund këtë të keqe të madhe të njerëzimit”, ka thënë ministri Gashi.
/Epoka e re/