Gashi, thirrje banorëve në Kosovë të regjistrohen, pavarësisht përkatësisë etnike
01 maj 2024
| 11:35
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Liza Gashi, u bëri thirrje qytetarëve, pa dallim etnie, që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe diasporës.
Kosova e nisi këtë proces më 5 prill dhe ai pritet të zgjasë deri më 17 maj.
Sipas Gashit, deri tani janë regjistruar rreth 300 mijë pjesëtarë të diasporës në kuadër të platformës e-diaspora si dhe falë regjistrimit fizik.
E pyetur nga “Zëri i Amerikës” lidhur me thirrjet e Listës Serbe për bojkotim të procesit nga ana e qytetarëve të komunitetit serb, Gashi tha se regjistrimi po vijon normalisht në çdo cep të territorit të vendit dhe se deri tani sipas saj, autoritetet nuk kanë ndeshur në rezistencë.