Gashi thotë se Ministria e Diasporës nuk ka buxhet të mjaftueshëm
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, nën kryesimin e kryetares Vjosa Osmani, ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e radhës, në të cilën ka raportuar ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.
Me këtë rast, ministri Gashi ka njoftuar për planet dhe politikat e ministrisë që ai udhëheq, e që kanë të bëjnë me promovimin e diasporës dhe krijimin e mundësive sa më të mëdha për ta.
Në këtë kuadër ai ka përmendur organizimin e manifestimeve të ndryshme pothuajse në të gjitha qytetet e Kosovës, përpjekjet që polisat e sigurimit të automjeteve të sigurohen nëpërmjet internetit, si dhe angazhimin e ministrisë që pjesëmarrja në zgjedhje e diasporës të sigurohet nëpërmjet ligjit.
Gjatë raportimit të tij, ministri Gashi ka njoftuar edhe për sfidat e kësaj ministrie, dhe me këtë rast vuri në dukje buxhetin e pamjaftueshëm për realizimin e projekteve me interes për diasporën.
Në vijim të fjalës së tij, ministri Gashi vuri në dukje edhe marrëveshjet e nënshkruara me Republikën e Shqipërisë, të cilat kanë për qëllim një angazhim të përbashkët ndërshtetëror për promovimin dhe avancimin e mundësive zhvillimore të diasporës, shkruan “Epoka e re”.