Gashi tregon se kush është fajtor për moszbatimin e Ligjit për Obiliqin

02 shtator 2018 | 10:53

Në nëntor të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligjin për Obiliqin. Ligj ky, i cili përveç mbrojtjes së ambientit dhe shëndetit të qytetarëve, parashihte edhe benefite të tjera për qytetarët, të cilët jetojnë në këtë komunë.

Ndonëse kanë kaluar pothuajse dy vjet nga miratimi i këtij ligji, për zbatimin e tij duhet të pritet edhe për një kohë.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, fajin për këtë vonesë ia ka lënë zgjedhjeve të  mbajtura në vitin 2017 si dhe vonesave nga ministritë për të bërë ndryshimet në aktet ligjore.

Ai ka thënë se janë duke punuar intensivisht që deri në fund të shtatorit të këtij viti të përfundojnë projektet lidhur me implementimin e këtij Ligji.

“Tash, ne gjatë këtij muaji kemi marrë kornizën buxhetore për përgatitjen e saj. Në Kornizën e parë buxhetore ne e kemi planifikuar në Kuvend në komunën e Obiliqit dhe e kem aprovuar shumën e cila vije nga 20 përqindëshi, sepse kjo pothuajse është thelbi i fillimit të implementimit të ligjit”,ka thënë Gashi për “Ekonomia Online”.

Ai ka thënë se shpreson që nga 1 janari i vitit 2019 të fillojë implementimi i Ligjit për Obiliqin.

Implementimi i këtij ligji do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës më shumë se 4 milionë e 950 mijë euro.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Së paku 11 veta kanë vdekur pas një përplasjeje të…