Gashi: Vëllaznimi ishte i pafat

30 maj 2018 | 14:08

Kushtrim Gashi është i dëshpëruar që skuadra e Vëllaznimit i humbi dy ndeshjet kryesore në penallti. Ai për “Epokën e re” ka thënë se kuqezinjtë ishin të pafat në edicionin 2017/2018.

Skuadra e Vëllaznimit nga Gjakova humbi dy ndeshjet më të rëndësishme për edicionin 2017/2018 në penallti. Kjo i kushtoi skuadrës gjakovare me rënien në Ligën e Parë të Kosovës në Futboll.

Mesfushori Kushtrim Gashi, i cili ishte ndër lojtarët më të mirë për skuadrën kuqezi gjatë gjithë edicionit, ka thënë se Vëllaznimi ka qenë skuadër e pafat dhe se nuk e ka merituar rënien nga Vala Superliga, pasi numri i pikëve të grumbulluara në edicionin e rregullit ishte mjaft i madh. “Vëllaznimi ka qenë skuadër e pafat në dy ndeshje vendimtare: finalen e Kupës dhe në ndeshjen e barazhit. Në finale ndaj Prishtinës e kemi merituar të fitojmë në bazë të asaj që kemi treguar në fushë, por penalltitë janë fat dhe aty ne dështuam, sikurse që dështuam ndaj Ferizajt. Më 44 pikë të largohesh nga Superliga për ne futbollistët është tepër e rëndë. Vëllaznimi në shumicën e kohës ka qenë në hap me top ekipet e Superligës dhe kur në fund nuk e arrin ekzistencën, është dëshpëruese”, ka thënë Gashi për “Epokën e re”.

Fotografia e Kushtrim Gashi

Futbollisti i talentuar pas formës së mirë që ka treguar, ka marrë edhe disa oferta nga klubet e Superligës, por ai vazhdon të jetë i pavendosur për të ardhmen. “Oferta kam nga disa klube, por ende nuk kam vendosur asgjë. Tash për tash nuk mund të them se do të qëndroj apo të largohem nga Vëllaznimi. Shumë shpejt do të marr një vendim për të ardhmen time”, ka deklaruar Gashi.

Skuadra kuqezi pritet që shumicën nga lojtarët kryesorë t’i mbajë, pasi synim kryesor në edicionin e ri të futbollit do ta ketë rikthimin në Vala Superligën e Kosovës në futboll.

(Veton ZYMBERI)

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka quajtur…