Gashi: Vitin e ardhshëm do ta ndërtojmë kampin stërvitor në Obiliq
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë se projekti i tri fushave ndihmëse në Obiliq, është njëri prej projekteve kapitale që e financon UEFA. Sipas tij, ky projekt është në kuadër të ngritjes së cilësisë, avancimit të infrastrukturës sportive në Republikën e Kosovës.
“Është një projekt i përbashkët trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Obiliqit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës. Punimet do t’i menaxhojë Federata kurse financimin do ta bëjë UEFA. Ministria dhe kryetari kanë qenë jashtëzakonisht të përkushtuar që në afat rekord të sigurojmë edhe hapësirën edhe parcelën dhe në të njëjtën kohë të mundësojmë këtë investim që do të jetë njëri prej investimeve më të mëdha në Komunën e Obiliqit në infrastrukturën sportive dhe natyrisht ky projekt është në kuadër të ngritjes së cilësisë, avancimit të infrastrukturës sportive në Republikën e Kosovës”, ka thënë ministri Gashi, i cili e përgëzoi kryetarin Gashi për përkushtimin e tij për ndarjen e hapësirave të lokacionit për ndërtimin e tri fushave ndihmëse.
Ndërkaq, kryetari Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka deklaruar: “Këto janë takime të rregullta ku ne konsultohemi bashkë për bashkëpunim”.
Gjatë vizitës në stadiumin “Agron Rama”, prezent ishte edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili falënderoi kryetarin e Obiliqit, por edhe asamblistët e Kuvendit Komunal të cilët kanë vendos të japin këtë pronë në shërbim të kampit nacional të futbollit që do të bëhet në koordinim me UEFA-n dhe FIFA-n. Kryetari Ademi e falënderoi edhe ministrin Gashi për angazhimin e tij në krijimin e kushteve për të investuar në infrastrukturën sportive në vend.
/Epoka e re/