Gashi viziton pjesën veriore të Mitrovicës
Kryetari i Partisë Liberale të Kosovës (PLK), Skender Gashi, ka vizituar të martën Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe atë të Jugut. Ai këtë vizitë e ka bërë me qëllim që të njoftohet nga afër me gjendjen në Mitrovicën e Veriut.
Gjatë kësaj vizite Gashi ishte i shoqëruar edhe nga Imer Shabani.
“Së bashku vizituam qytetin e pjesës veriore të Mitrovicës. Aty bisedova me qytetarë të kombësisë shqiptare dhe serbe. Pastaj shkuam te Gjykata Themelore e Mitrovicës, ku biseduam me policë të Republikës së Kosovës të kombësisë shqiptare dhe serbe. Me ta bisedova edhe rreth situatës dhe gjendjes në Komunën e Mitrovicës së Veriut. Sipas tyre, gjendja është e qetë dhe qytetarët janë të interesuar që kjo krizë të përfundojë sa më parë”, ka thënë Gashi.
Ai ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi dhe klasa politike që bisedimet me Serbinë të përfundojnë sa më parë.
Gashi ka bërë thirrje që në këtë proces të ketë unitet politik. “Z. Thaçi ta shfrytëzoj autoritetin e tij si president i Republikës së Kosovës me një unitet të të gjitha partive politike në Kosovë. Të gjendet gjuhë e përbashkët dhe të jemi unikë në zgjidhjen e kësaj çështje në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Qytetarët kanë mbetur peng të proceseve politike, të neglizhencës nga bashkësia evropiane dhe nga institucionet e Kosovës, ndërsa këto zgjatje të proceseve shkojnë në favor të Serbisë”, është shprehur kreu i PLK-së.