Gastronomët protestojnë kundër masave të reja të qeverisë

07 nëntor 2020 | 13:44

Pjesëtarët e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës kanë protestuar të shtunën në shenjë pakënaqësive ndaj masave të marra nga Qeveria e Kosovës, me qëllim të frenimit të koronavirusit.

Ata kanë zhvilluar një aktivitet simbolik para lokaleve të tyre, duke krijuar zhurmë me tenxhere dhe lugë.

Para mediave ka folur kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, duke e konsideruar të papranueshme marrjen e masave të reja.

“Nuk jemi kundër shtetit ose qeverisë. Presim një pako të veçantë për sektorin e gastronomisë. Nga ndihmat e qeverisë kanë përfituar edhe barnatoret, të cilat kanë punuar, kurse ne kemi qenë tërësisht të mbyllur”, tha Kllokoqi.

Sipas tij, nëse Qeveria e Kosovës nuk do të ndihmojë sektorin e gastronomisë, të hënën do të ketë protestë edhe më të madhe para qeverisë.

Të premten Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të mbyllë shumicën e bizneseve nga e premtja deri mëngjesin e të hënës, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Në këtë vendim janë përfshirë edhe bizneset e gastronomisë.

Bizneset në Kosovë janë ndihmuar me 60 milionë euro në kuadër të Fondit për Rimëkëmbje Ekonomike përgjatë valës së parë të pandemisë së koronavirusit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori Milazim Krasniqi ka reaguar ndaj masave të reja që…