Gastronomët: Sot janë mbyllur rreth 8 mijë biznese, pas 18 prillit protestojmë

07 prill 2021 | 14:53

Rreth 8 mijë biznese të gastronomisë janë mbyllur të mërkurën dhe kanë nisur të punojnë vetëm me shërbimin “merr me vete”, bazuar në vendimin e ri të Qeverisë Kurti si pjesë të masave anti-Covid.

Hysen Sogojeva, kryetar i Odës Hoteliere Turistike të Kosovës, ka paralajmëruar se nëse pas datës 18 prill nuk lejohet veprimtaria e tyre, reagimet do të vijnë përmes protestave.

Ai është ankuar se askush nuk është konsultuar me këtë sektor para se të vendoset për masat e reja. “Të gjitha hotelet dhe restorantet për momentin sot asnjë nuk funksionojnë, pra kjo veprimtari është e mbyllur dhe gjithmonë janë respektuar vendimet të cilat janë ndërmarrë. Ndërsa, pas 18 prillit, me vendimin që e kemi marrë dje nga Kryesia nuk do të ketë as dialog lidhur me këtë. Prandaj kemi shkuar me masa duke filluar prej reagimeve me protesta, si dhe demonstrata dhe forma të tjera. Numri total nëse llogarisim si veprimtari turistike janë mbi 9 mijë dhe nëse i llogarisim edhe ato që kanë pasur humbje, sot përafërsisht 7-8 mijë janë të mbyllura”, ka thënë ai për “KP”.

Sogojeva ka kërkuar nga Qeveria mbështetje të mirë ekonomike, duke thënë se ka informata që mbështetja do të jetë vetëm për gjysmë page dhe për pagimin e gjysmës së qirasë. “Kjo është minimale, nuk është asgjë, për arsye se ne edhe në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike nuk jemi pajtuar, ngase ajo është një lloj ndihme për arsyes se nëse përpjesëtohen 13-14 mijë biznese del prej 20-170 euro më iu jap bizneseve”, ka deklaruar Sogojeva.

Sipas Sogojevës, në sektorin e gastronomisë rrezikojnë të mbesin pa punë 20 mijë persona.

Sot kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-Covid. Në kuadër të këtyre masave nga sot do të ndalohet qarkullimi nga ora 22:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit. Shkollat do të mbyllen dhe gastronomia do të funksionojë me shërbimin “merre me vete”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të mërkurën në Shqipëri janë bllokuar të gjitha fluturimet në…