Gates: Brenda 18 muajve na duhet vaksinë e sigurt dhe efikase

02 prill 2020 | 10:46

Themeluesi i kompanisë Microsoft, Bill Gates, në një shkrim autorial të botuar në “Washington Post”, u ka bërë apel autoriteteve në ShBA që të mbyllen për të paktën 10 javë, me qëllim që të fitohet beteja kundër koronavirusit.

Më poshtë ju sjellim pjesët më të rëndësishme të tekstit të pronarit të njërës nga kompanitë më të suksesshme në fushën e teknologjisë informative, transmeton Telegrafi.

“Nuk ka dyshim që Shtetet e Bashkuara kanë humbur rastin të jenë në avantazh në luftën kundër koronavirusit, por ende ka hapësirë për t’i marrë vendimet e duhura. Vendimet që i marrim ne dhe liderët tanë do të kenë ndikim të madh në atë se sa shpejt do të fillojë të bie numri i personave të prekur me COVID si dhe në atë se sa do të zgjasë ‘fikja’ e ekonomisë dhe sa amerikanë duhet të varrosin më të dashurit e tyre për shkak të koronavirusit.

Me punën që e kryej me fondacionin tim, kam biseduar me ekspertë dhe liderë në Uashington dhe në mbarë botën. Më është bërë e qartë se duhet të ndërmarrin tre hapa konkretë.

E para, na duhet një qasje e qëndrueshme kombëtare për mbylljen e gjithçkaje. Pavarësisht prej thirrjeve nga ekspertët e shëndetit publik, disa shtete nuk kanë mbyllur gjithçka. Në disa shtete, plazhet janë ende të hapura, në disa të tjera restorantet vazhdojnë të punojnë për ata që duan të ulen dhe të hanë.

Është një recetë për katastrofë. Nëse njerëzit lirshëm mund të udhëtojnë përmes kufijve shtetërorë, njëjtë mund të veprojë edhe virusi. Zyrtarët shtetërorë duhet të jenë të qartë: Mbyllja e gjithçkaje do të thotë që asgjë nuk guxon të funksionojë.

Derisa numri i të prekurve me koronavirus nuk fillon të bie në ShBA, që do të mund të arrihej për 10 javëve apo më shumë, askush nuk mund të vazhdojë të bëjë biznes apo thjesht të mos e ndërpresë punën. I tërë ky konfuzion rreth kësaj çështje do ta zgjatë ‘dhimbjen’ ekonomike, do ta rrisë frikën që virusi do të rikthehet edhe më i fuqishëm dhe do të shkaktojë më shumë raste të vdekjeve.

E dyta, qeveria federale duhet ta përshpejtojë procesin e testimit. Do të duhej të kishte shumë më tepër teste që do të jenë të disponueshme në çdo spital. Gjithashtu, do të duhej t’i konsolidonim rezultatet në mënyrë që të mund të identifikojmë shpejt vullnetarët e mundshëm për prova klinike dhe ta dimë se kur do të jetë koha kur do t’i kthehemi normalitetit. Ka edhe shembuj të mirë – shteti i Nju Jorkut së fundmi ka zgjeruar kapacitetet duke kryer mbi 20 mijë teste në ditë.

Dhe e treta dhe e fundit, për ta mundur sëmundjen, na duhet vaksina e sigurt dhe shumë efikase. Nëse i bëjmë të gjitha si duhet, do të mund ta kishim për të paktën 18 muaj që do të ishte koha më e shkurtër në histori që ndonjëherë është prodhuar dhe testuar një vaksinë”, ka shkruar Bill Gates.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtria angleze do t’i mobilizojë 3 000 trupa për ta…