Gates vazhdon ta shqetësojë njerëzimin: Rrezikohemi nga një variant më vdekjeprurës i Covidit
Të gjithë e dimë se Bill Gates kishte parashikuar gjerësisht rrezikun që një virus mund ta gjunjëzonte botën shumë përpara mbërritjes së Covid-19. Për këtë arsye deklaratat e fundit të sipërmarrësit dhe filantropistit amerikan shkaktojnë një alarm të ri.
“Ne jemi ende në rrezik të një varianti më të transmetueshëm dhe më vdekjeprurës të Covid. Nuk ka gjasa, por ekziston një rrezik 5% që nuk e kemi parë akoma më të keqen”, tha Gates.
“Shmangia e pandemisë së ardhshme kërkon më shumë investime dhe krijimin e një ekipi epidemiologësh dhe ekspertësh për të identifikuar me shpejtësi kërcënimet ndaj shëndetit global dhe për të përmirësuar bashkëpunimin midis vendeve”, shtoi Gates.
Libri i fundit i shkruar nga shkencëtari amerikan i kompjuterëve “Si të parandalojmë pandeminë e ardhshme” shërben gjithashtu për të nxitur krijimin e një ekipi ekspertësh, Iniciativa Globale e Reagimit dhe Mobilizimit ndaj Epidemisë, nën menaxhimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të parandaluar pandemitë e reja.
“Në librin tim unë shpjegoj hapat që duhet të ndërmarrim për t’u përgatitur”, vuri në dukje Gates.
“Një plan për të eliminuar pandeminë si një kërcënim për njerëzimin. Këto hapa, së bashku me përparimin e rëndësishëm që kemi bërë tashmë gjatë dy viteve të fundit në krijimin e mjeteve të reja dhe të kuptuarit e sëmundjeve infektive, do të zvogëlojnë shanset që dikush të përjetojë një tjetër Covid. Nëse bëjmë investime kyçe që përfitojnë të gjithë, Covid-19 mund të jetë pandemia e fundit”.