‘Gati 300 trupa janë gjetur në një varr masiv në Gaza’
Një varr masiv me gati 300 trupa është zbuluar në një spital në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis, thanë të hënën punëtorët e Mbrojtjes Civile të Gazës, pas tërheqjes së forcave izraelite nga ajo zonë më herët këtë muaj.
Kolonel Yamen Abu Suleiman, drejtor i Mbrojtjes Civile në Khan Younis, i ka thënë televizionit “CNN” të hënën se “73 trupa u nxorën” në oborrin e Kompleksit Mjekësor “Nasser”, duke e quar “numrin e përgjithshëm të trupave në 283”.
Suleimani ka pretenduar se disa prej trupave ishin gjetur me duar e këmbë të lidhura. “Nuk dimë nëse u varrosën të gjallë apo u ekzekutuan. Shumica e trupave janë të dekompozuar”, ka thënë ai.
Televizioni “CNN” nuk ka mundësi që t’i vërtetojë pretendimet e zyrtarit palestinez dhe nuk mund ta vërtetojë shkakun e vdekjes së personave të gjetur në varrin masiv.
Televizioni ka kërkuar koment nga ushtria izraelite pas zbulimit të varrit masiv, përfshirë pyetjet nëse trupat ishin zhvarrosur për test të ADN-së dhe nëse ata janë rivarrosur.
Më parë, një zëdhënës i Mbrojtjes Civile në Khan Younis dhe kreu i misionit të kërkimit, Raed Saqr, i kishte thënë televizionit se ata ishin duke i kërkuar trupat e 400 personave të tjerë të zhdukur pas tërheqjes së ushtrisë izraelite më 7 prill.
Një person i angazhuar nga televizioni “CNN”, që e ka vizituar vendin e ngjarjes të dielën, ka thënë se njerëzit i kishin varrosur trupat e anëtarëve të familjeve që ishin vrarë në zonën e spitalit në janar si masë e përkohshme. Kur ata janë kthyer pas tërheqjes së forcave izraelite, kanë zbuluar se trupat ishin zhvarrosur – si duket për shkak se ushtria izraelite po e përdorte testimin për ADN për të zbuluar nëse ndonjëri nga pengjet që po mbahen në Gaza ishte në mesin e të vdekurve.
Një burrë në vendin e ngjarjes i ka thënë televizionit “CNN” se ai ende nuk e kishte gjetur trupin e të birit 21-vjeçar, i cili është vrarë në janar.
“Nuk e kam gjetur ende. E kishim varrosur aty, por nuk mund ta gjejmë dhe deshëm t’ia bënim atij një varr të denjë”, ka thënë babai palestinez.
Zona përreth kompleksit mjekësor “Nasser” kishte bombardime dhe luftime intensive në janar dhe shkurt. Në atë kohë, televizioni “CNN” kishte raportuar për varrosjen e trupave në zonën e spitalit për shkak të mungesës se qasjes së sigurt në varreza.