Gati dy muaj pas fillimit të mësimit shumë nxënës pa libra
Ndonëse po bëhen gati dy muaj pas fillimit të vitit shkollor edhe më tutje shumë nxënës neper shumë shkolla të Kosovës ende nuk kanë arritur të furnizohen me libra, ani pse ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka deklaruar në vazhdimësi se ky vit i ri shkollor ka nisur pa shqetësimin e sigurimit të librave për nxënësit.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Hanit të Elezit, Hisni Luri ka deklaruar se ende nxënësit po ballafaqohen me mungesë të librave.
Luri tha se kjo komunë ende po përballët edhe me mungesë të librarive.
Tutje, Luri thotë se ky vit i ri shkollor ka filluar me sfida për prindërit që kanë fëmijë.
“Për të gjithë nxënësit ende nuk janë siguruar librat. Edhe prindërit e kanë përgjegjësinë se jo të gjithë janë të vetëdijesuar. Mbi 80% janë siguruar por ka ende nxënës pa libra. Hani i Elezit ende përballët me mungesë të librarive, se kur kanë ardhur librat në shkolla s’kanë pas interes librarit të ketë në qytet. Sfidë e vështirë për prindërit”, deklaroi Luri.
Njëjtë si Hani i Elezit, ka disa ankesa edhe nga komuna e Vushtrrisë për furnizimin e teksteve shkollore për nxënësit.
Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Albanez Tahiraj ka deklaruar se ka pranuar disa ankesa për çështjen e librave.
Ai thotë se kjo po vjen si pasoj e problemeve me daljen e parave tek prindërit për subvencionim.
“Rreth 5 deri 7 ankesa janë regjistruar për çështjen e teksteve shkollore që po kanë probleme deri tek dalja e mjeteve financiare në xhjirollogari”, ka deklaruar Tahiraj.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Klinës, Qemajl Sejdiu ka folur lidhur me problemet që po përballen për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore.
Sejdiu tha se në këtë vit të ri shkollor përveç furnizimit me libra e kanë pas edhe një sfide tjetër.
“Në përgjithësi janë furnizuar por ka pas mungesa të vogla që disa nxënës nuk kanë pas tekste. Kemi probleme me subvencionimin e librave që s’po ju dalin mjetet prindërve, jemi drejtuar te MASHT-i, tash po presim përgjigje”, theksoi Sejdiu.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vitin e kaluar kishte marrë vendim që pajisjen e nxënëseve me tekste shkollore ta bëjë nëpërmjet platformës e-Kosova, duke i subvencionuar financiarisht prindërit për blerjen e librave, njëjtë veproi edhe këtë vit.
Kjo metodë e furnizimit të nxënësve me libra shkollorë, përfshirë edhe vonesat e shkaktuara nga shtëpitë botuese, ishte kritikuar nga opozita dhe ekspertët e fushës.
Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008.