Gati për regjistrimin e popullsisë në Kosovë, Kastrati: Sistem ‘online’ regjistrimi edhe për diasporën
Avni Kastrati, ushtrues detyre i drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka bërë me dije se janë gati për të filluar së shpejti regjistrimin e popullsisë.
Kastrati në një intervistë në “Radar të RTV Dukagjinit” ka thënë se regjistrimi është planifikuar nga 5 prilli deri më 17 maj, ndërsa këtë herë do të regjistrohet edhe diaspora.
“Të gjitha strukturat bartëse të projektit të regjistrimit jemi në linjë dhe besoj se nuk ka sfida para q do të dalim në terren”, ka thënë ai.
Kastrati ka treguar se janë në fazën finale të përgatitjeve dhe si është planifikuar nga 5 prilli deri më 17 maj do të jenë në terren, ku të gjitha ekonomitë familjare do të intervistohen përmes regjistruesve.
Sipas tij, regjistrimi i diasporës do të realizohet përmes të afërmve që i kanë në Kosovë si dhe do të jetë edhe një sistem “online”, ku do të regjistrohen vet qytetarët që janë jashtë shtetit.
“Sistemi ‘online’ ia mundëson secilit që ndihet si diasporë që të regjistrohet. Do të jetë një aplikacion ‘online’”, ka thënë Kastrati, duke shtuar se një mundësi të tillë për diasporën nuk e kanë shumë shtete në rajon.