Gati për të marrë përgjegjësitë në Interpol
Më 29 nëntor, në Dubai, çështja e pranimit të Kosovës në INTERPOL, do të jetë pjesë e agjendës së Asamblenë së Përgjithshme të kësaj organizate më të madhe ndërkombëtare policore.
Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, por edhe njohës të aspekteve të sigurisë, vlerësojnë se me anëtarësimin eventual në INTERPOL, para Kosovës do të jenë obligimet ndaj kësaj organizate, por edhe përfitimet nga ajo.
Jetlir Zyberaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është e gatshme t’i marrë obligimet që dalin nga anëtarësimi eventual në INTERPOL dhe njëkohësisht është e gatshme në përgjithësi që të jetë pjesë e kësaj organizate policore.
“Kosova duhet të jetë pjesë e INTERPOL-it, për t’i kontribuar forcimit të sigurisë, forcimit të luftës kundër krimit të organizuar, forcimit të luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe fenomeneve tjera negative”, thotë Zyberaj.
Fatmir Xhelili, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh besimin që Kosova tashmë është e përgatitur që të jetë pjesë e barabartë e INTERPOL-it.
Sipas tij, ajo tashmë ka dëshmuar me zhvillimin e policisë së saj, me përgjegjësitë policore që ka marrë në vazhdimësi, në drejtim të sigurisë së brendshme të vendit, por edhe në drejtim të bashkëpunimit me policitë e rajonit dhe ato ndërkombëtare.
“Kosova dhe policia e saj kanë dëshmuar që janë për një bashkëpunim korrekt, të drejtpërdrejtë, si dhe t’u përgjigjet përherë kërkesave në drejtim të ndjekjes së krimit trans-nacional, por edhe në drejtim të ekstradimeve të tjera kur ka qenë fjala për kriminelë të ndryshëm që kanë vepruar në fusha të ndryshme. Besoj që Policia e Kosovës është ndër më të mirat në rajon. Nuk është se e them unë sipas vlerësimit tim personal, por e thonë edhe vlerësuesit e policive të Evropës Juglindore dhe Kosova e meriton të jetë pjesë e INTERPOL-it”, theksoi deputeti Xhelili.