Gati përgjigja e Izraelit ndaj Iranit, vendet e BE-së thirrje shtetasve të tyre: Largohuni sa më parë
Izraeli po përgatit kundërpërgjigjen ndaj sulmit të Iranit, e tashmë duket se është shumë afër.
Sakaq, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Izraeli të mos targetojë bazat nukleare. Përgjigja e Izraelit ndaj Iranit nuk dihet se çfarë përmasash do të ketë dhe cilat objektiva do të jenë në shënjestër.
Ekziston një rrezik i madh që kjo kundërpërgjigje ta zhysë edhe më tepër Lindjen e Mesme në një konflikt në shumë fronte apo drejt një lufte totale.
Sakaq, shumë vende të BE-së, duke përfshirë edhe Italinë së fundmi, i kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Irani.
Kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu duket i vendosur në përgjigjen e tij ndaj Iranit. Ndonëse Izraeli po lufton aktualisht me Hamas në Gaza, me Hezbollahun brenda territorit të Libanit, ai ka thënë se ajo çka po ndodh do të ndryshojë përgjithmonë balancat e fuqisë në rajon.