Gatishmëria për t’iu përgjigjur Speciales tregon për pafajësinë e komandantëve
Avokati Tahir Rrecaj beson në pafajësinë e ish-komandantëve të UÇK-së dhe në drejtësinë e Gjykatës Speciale.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se gatishmëria e ish-komandantëve të UÇK-së për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës për intervistim të Prokurorit të Specializuar tregon për pafajësinë e tyre.
Rrecaj është shprehur i bindur se nëpërmjet këtij procesi do të vërtetohet edhe një herë pastërtia e luftës çlirimtare të Kosovës sikurse është vërtetuar nga gjykata e UNMIK-ut, e EULEX-it dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.
“Unë jam profesionist dhe i besoj një gjykate. Mendoj se të gjithë duhet t’i besojmë edhe në të ardhmen kësaj gjykate, sepse përmes këtij procesi do të vërtetohet edhe një herë pastërtia e luftës çlirimtare të Kosovës sikurse është vërtetuar deri më tani nga gjykata e UNMIK-ut, e EULEX-it dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Unë dua të besoj në pastërtinë e luftës çlirimtare”, është shprehur ai.
Avokati Rrecaj ka treguar se ende nuk dihet se në çfarë cilësie është thirrur për intervistim klienti i tij, Nazif Mehmeti.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)