Gatishmëria për t’iu përgjigjur Speciales tregon për pafajësinë e komandantëve

12 dhjetor 2018 | 15:44

Avokati Tahir Rrecaj ka bërë me dije se gatishmëria e ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për t’u paraqitur në mënyrë vullnetare në Speciale tregon për pafajësinë e tyre. Ai është shprehur i bindur në pafajësinë e ish-komandantëve të UÇK-së të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës për intervistim.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se ky proces është edhe në interes të Kosovës dhe të atyre që pretendohet se do të jenë subjekt i gjykimeve, duke shtuar se ata do të lirohen nga një barrë e rëndë dhe e padrejtë. “Kjo do të thotë se këta individë janë plotësisht të pafajshëm dhe janë të gatshëm të ballafaqohen edhe me akuzat eventuale të prokurorisë, nëse do të ketë aktakuza. Kjo është vetëm një fazë e intervistimit dhe prej intervistimit të tyre mund të rrjedhë edhe vendimi i Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, nëse do të ketë aktakuzë apo jo”, ka thënë Rrecaj.

Ai i ka ftuar të gjithë që t’i besojnë Gjykatës Speciale, duke shtuar se edhe një herë do të vërtetohet lufta e drejtë e UÇK-së. “Unë jam profesionist dhe i besoj një gjykate. Mendoj se të gjithë duhet t’i besojmë edhe në të ardhmen kësaj gjykate, sepse përmes këtij procesi do të vërtetohet edhe një herë pastërtia e luftës çlirimtare të Kosovës sikurse është vërtetuar deri më tani nga gjykata e UNMIK-ut, e EULEX-it dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Unë dua të besoj në pastërtinë e luftës çlirimtare”, është shprehur ai.

Në këtë intervistë Rrecaj ka folur edhe për klientin e vet,  Nazif Mehmetin, i njohur si komandant Dini, i cili është ftuar nga Specialja për intervistim në muajin janar. Ai ka treguar se Mehmeti ende nuk dihet se në çfarë cilësie është ftuar në Hagë. “Nuk i kanë treguar se në çfarë cilësie është i ftuar për intervistim. Pra, nuk dihet nëse është i ftuar si dëshmitar apo si i dyshuar. Unë do t’i dërgoj një kërkesë Gjykatës Speciale, me të cilën do ta njoftoj se jam avokat i z. Mehmeti dhe do të kërkoj udhëzime të mëtutjeshme se si të veprohet me rastin”, ka thënë Rrecaj.

 

“Epoka e re”: Z. Rrecaj, ju jeni avokat i Nazif Mehmetit, i cili është i ftuari i radhës për t’u intervistuar pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë. Kur është njoftuar klienti juaj?
Rrecaj: Këtë informatë e kam marrë të martën kur z. Mehemti më ka angazhuar avokat mbrojtës të tij. Ai më ka treguar se të hënën në mbrëmje është kontaktuar nga një hetues i Gjykatës Speciale i cili e ka njoftuar se ai duhet të paraqitet në Hagë për të dhënë një intervistë më 22, 23 dhe 24 janar të vitit 2019.

“Epoka e re”: Në çfarë cilësie është ftuar për intervistim?
Rrecaj: Nuk i kanë treguar se në çfarë cilësie është i ftuar për intervistim Pra, nuk dihet nëse është i ftuar si dëshmitar apo si i dyshuar. Unë do t’i dërgoj një kërkesë Gjykatës Speciale, me të cilën do ta njoftojë se jam avokat i z. Mehmeti dhe do të kërkojë udhëzime të mëtutjeshme se si të veprohet me rastin.

“Epoka e re”: Brenda çfarë kohe pritni të njoftoheni se në çfarë cilësie është i ftuar për intervistë klienti juaj?
Rrecaj: Unë do të kërkojë nga Dhomat e Specializua se në çfarë cilësie është ftuar z. Mehmeti dhe për procedurat e mëtutjeshme. Besoj se nuk do të ketë vonesa dhe brenda një kohe të caktuar do të marrë përgjigje në kërkesën tonë.

“Epoka e re”: Z. Mehmeti do të paraqitet vullnetarisht në Hagë?
Rrecaj: Patjetër. Mehmeti do të paraqitet vullnetarisht në Hagë në datat që është ftuar. Ai ka shprehur vullnetin të bashkëpunojë me këtë gjykatë kurdo që të ftohet.

“Epoka e re”: Deri më tani kemi katër ish-komandantë të UÇK-së që janë ftuar për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë. Cili është vlerësimi juaj për fillimin e këtij procesi?
Rrecaj: Fillimi i këtij procesi ka qenë i pritur, meqenëse Kosova ligjet për këtë çështje i ka aprovuar para tre vjetëve dhe funksionalizimi i këtyre dhomave ka ndodhur në këtë vit. Ndoshta ky proces pak është vonuar. Mendoj se ky proces është edhe në interes të Kosovës dhe të gjithë atyre që pretendohet se do të jenë subjekt i gjykimeve që të hiqet njëherë e përgjithmonë një barrë e cila po e mundon popullin, por edhe ata vetë si individë.

“Epoka e re”: Meqenëse të gjithë të ftuarit të deritashëm për intervistim kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me këtë gjykatë, çfarë do të thotë kjo për Kosovën?
Rrecaj: Kjo do të thotë se këta individë janë plotësisht të pafajshëm dhe janë të gatshëm që të ballafaqohen edhe me akuzat eventuale të prokurorisë nëse do të ketë aktakuza. Kjo është vetëm një fazë e intervistimit dhe prej intervistimit të tyre mund të rrjedhë edhe vendimi i Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë nëse do të ketë aktakuzë apo jo.

“Epoka e re”: Keni ndonjë informacion nga kolegët tuaj avokatë se a është kontaktuar ndonjë person tjetër nga Specialja?
Rrecaj: Jo, deri më tani nuk kam asnjë informacion për dikë tjetër përpos këtyre që tashmë dihen. Në këtë fazë mund të ketë edhe të tjerë që mund të thirren për t’u intervistuar, por nuk mund të spekuloj.

“Epoka e re”: Kjo gjykatë nga shumëkush është vlerësuar e padrejtë. Sa do të arrijë kjo të vendosë drejtësi?
Rrecaj: Unë jam profesionist dhe i besoj një gjykate. Mendoj se të gjithë duhet t’i besojmë edhe në të ardhmen kësaj gjykate. Përmes këtij procesi do të vërtetohet edhe një herë pastërtia e luftës çlirimtare të Kosovës, sikurse është vërtetuar deri më tani nga gjykatat e UNMIK-ut, të EULEX-it dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Unë dua të besoj në pastërtinë e luftës çlirimtare.

“Epoka e re”:  Si mund t’i ndihmojë shteti i Kosovës personat që janë thirrur për intervistim nga kjo gjykatë?
Rrecaj: Shteti sigurisht se mund dhe duhet t’i ndihmojë këta persona në aspektin e mbështetjes financiare për mbulimin e shpenzimeve për të akuzuarit, edhe për familjarët e tyre gjatë vizitave në Hagë. Pra, shteti duhet t’i mbështesë ata për çdo gjë të nevojshme gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Shkodran Arifi Vëllezërit ndërmarrës Arsen dhe Arben Shoshi dallohen…