Gattuso trondit me rrëfimin për sëmundjen
Rino Gattuso për “Sky” foli hapur pas barazimit që e mori Napoli kundër Torinos (1-1) për sëmundjen e syrit nga e cila vuan, duke shpjeguar për të.
Trajneri i Napolit bën një thirrje për të rinjtë, që mund të vuajnë nga kjo sëmundje, që të tregojnë kujdesin e duhur, jo vetëm duke u parë në pasqyrë: “Vuaj nga një sëmundje autoimune, që quhet Myasthenia. Unë nuk jam vetvetja prej 10 ditësh. Dua t’u them të gjithë fëmijëve dhe të rinjve, që kanë frikë kur kanë diçka të çuditshme dhe nuk e shohin veten mirë në pasqyrë: jeta është e bukur dhe duhet ta përballosh pa frikë, pa u fshehur. Gjithsesi, unë jam gjallë. Kam dëgjuar thashetheme se kisha edhe një muaj jetë, por nuk u shqetësova se po vdisja. Kam 10 vjet me këtë sëmundje. Kjo është hera e tretë që më godet. Kësaj here më goditi rëndë, por jini të sigurt, sepse syri do të kthehet në vendin e vet, unë do të jem më i bukur. Shpresoj, sa më shpejt të jetë e mundur. Tani nuk shoh mirë, por edhe kjo do të kalojë. Djemtë ishin aq afër meje, edhe pse ditët e fundit po luftoja kaq shumë. Te Napoli të shohësh turbull (pamje të dyfishtë) 24 orë në ditë nuk është e lehtë, vetëm një i çmendur si unë mund të ngrihet në këmbë me këtë problem. Duhet pranuar, sepse jeta është më e keqe. Unë jam me fat që bëj atë që më pëlqen në jetë”, ka deklaruar Gattuso, raporton “Telesport”.
Çfarë është “Myasthenia”
Myasthenia është një gjendje, në të cilën të gjithë muskujt vullnetarë dobësohen dhe lodhen shpejt. Nuk ka shërim përfundimtar për këtë problem, por trajtimi i duhur ndihmon në uljen e simptomave. Shkaqet mund të jenë të shumta: në rastin e “Myasthenia” së vërtetë, problemi nxitës është ndërprerja e komunikimit korrekt midis nervave dhe muskujve, shkaktuar nga fakti që trupi fillon të prodhojë antitrupa, të cilët pengojnë aktivitetin e receptorëve neurotransmetues acetilkolina (stimulon funksionimin e muskujve). Në veçanti, “Myasthenia” okulare është e kufizuar në muskujt e syve dhe qepallat. Sëmundja autoimune lind, sepse disa autoantitrupa pengojnë mekanizmin nervor që lejon tkurrjen e muskujve. Ekzistojnë dy simptoma tipike të “Myasthenia” okulare: diplopia (ose shikimi i dyfishtë) dhe ptosis (qepalla e rënë).