Gavazaj: Ja pse zgjodha Shqipërinë para Kosovës
Pas 11 ndeshjesh me U-21 dhe një goli të shënuar në fitoren 1-3 me Austrinë, Enis Gavazaj bën hapin e madh në karrierë, i bashkohet Kombëtares A.
23-vjeçari e konsideroi një dhuratë të çmuar ftesën nga Christian Panucci. “Kishim emocione, sepse ishte grumbullimi i parë në Kombëtaren A. Një ndjenjë e papërshkrueshme. Ishte një dhuratë e bukur, është arritja ime më e madhe. Duhet ta japim maksimumin dhe të jemi sa më afër ekipit. Duhet ta bëjmë punën tonë. Trajneri vendos nëse do të luajmë. Atmosfera është shumë e mirë. Kam disa shokë nga e kaluara”, ka deklaruar Gavazaj, raporton “Supersport”. “Ne duhet të tregojmë veten në kombëtare, pastaj të shohim nëse do të transferohemi në ndonjë kampionat më të rëndësishëm. Edhe te Skënderbeu do të jemi mirë”, ka shtuar ai. Në fund ish-lojtari i Prishtinës tregoi edhe arsyen pse e zgjodhi Shqipërinë para Kosovës. “Kam pasur 2-3 herë ftesë nga Kosova, por unë kisha vendosur për të luajtur me Shqipërinë. Kam zgjedhur ngjyrat kuqezi dhe këtë e kam bërë me dëshirën time të plotë”, ka thënë Gavazaj.