Gaxherri: Kurti sa ishte në opozitë e ka kthyer Kosovën 10 vite mbrapa
“Kurti sa ishte në opozitë, i ka humbur 10 vite Kosovës”, deklaroi kështu, ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri.
Më tej, Gaxherri tha se kryeministri, Albin Kurti, ka arritur t’i fitojë 51 përqind të votave, me zotimin që “Asociacioni nuk do të formohet”.
“Kurti kur ishte në opozitë, Kosovës i ka humbur 10 vite, e ka kthyer vendin mbrapa. Jemi të gjithë dëshmitarë se çka ka ndodhur. Megjithatë, të gjithë jemi dëshmitar që Kurti na ka humbur 10 vite dhe në fund ka arritur ta mobilizojë masën, deri aty ku i fitoi 51 përqind, e duke thënë që Asociacioni nuk bëhet. Serbia po shfrytëzon momentumin për tu futur në Kosovë, sepse kjo është strategji e aleatëve të Rusisë. Ne gjithë kohën e kemi ftuar Kurtin që të ketë kujdes, ta shfrytëzojë momentumin duke e kthyer në favor të Kosovës. Mirëpo, këtë nuk e ka bërë Kurti”, potencoi Gaxherri në emisionin “Infonata”.
Ndërkaq, sa i përket raportimeve të Kurtit në Kuvend, kjo e fundit e cilësoi të dhimbshëm për ta dëgjuar debatin parlamentar të kryeministrit.
“S’ka raportime nga Kurti, përkundrazi kur opozita bën një thirrje të tillë, shumë shpesh ai nuk gjen kohë, ose shkon kur ai do, ose edhe kur shko, ka debat që është i dhimbshëm për ta dëgjuar”, shtoi tutje Gaxherri në Tëvë1.
Po ashtu, ish-deputetja e LDK-së, tha se për herë të parë në historinë e vendit, Kosova ka marrë sanksione nga Bashkimi Evropian.