Gaxherri: Seanca mund të thirret të premten
Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, tha se edhe pa votën e Behgjet Pacollit i kanë të sigurta tashmë 61 vota për të votuar Qeverinë Hoti.
Ajo tha se nuk e kanë problem mungesën e votave, përkundrazi mund të ketë edhe më shumë, por assesi më pak.
“Po punohet me secilin deputet jashtë subjektit politik dhe duam ta kemi një qeveri duke u bazuar në Kushtetutën e vendit. Uroj që nesër të arrihet marrëveshja. Të gjitha subjektet janë deklaruar që janë të gatshme edhe pse s’është e thënë që pikërisht nesër të ndodhë”.
Gaxherri tha se të premten mund ta thërrasin seancën dhe se nuk beson që kryeparlamentarja Vjosa Osmani mund ta pengojë me ndonjë qëllim.
“Qëndrimi i Osmanit është i njohur, por duke e njohur që është luftëtare për rregulloren dhe ligjet e vendit, s’kam dyshim që do ta procedojë brenda rregullores sepse ende s’ka arritur në Kuvend. S’besoj që me ndonjë qëllim do të prolongojë punën. Seanca do të mbahet brenda afateve të rregullores”.
Gaxherri tha se LDK-ja e mbajti premtimin që të mos lidhë një koalicion me PDK-në dhe mohoi se ka ndikim të presidentit.
“LDK e di mirë që marrja e qeverisë nuk është ansjë lloj privilegji, por përgjegjësi më e madhe se asnjëherë më parë. Por ne si LDK s’i kemi ikur asnjëherë përgjegjësive. Jam e sigurt që do të punojmë ditë e natë që këto tema të mëdha për Kosovën ta kalojmë më lehtë. Do të fitojë Kosova në këtë aspekt. Kemi premtuar që s’do të ketë marrëveshje me PDK-në dhe s’e bëmë edhe pse ka qenë më lehtë një qeveri gjithëpërfshirëse”, njofton “Klan Kosova”.
Sa i përket çështjes së udhëtimit të Pacollit, Gaxherri tha se është e papranueshme që një deputet të trajtohet sikur qytetarët tjerë, për shkak të përgjegjësive të mëdha që ka në përfaqësimin e tyre.