“Gaza po zhduket”, 61% e ndërtesave janë shkatërruar
Më shumë se gjysma e ndërtesave të Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar që kur Izraeli filloi sulmet kundër Hamasit në Gaza, raporton BBC.
Imazhet e detajuara tregojnë Gazën para dhe pas bombardimeve të cilat tani janë intensifikuar që qytetin e Khan Younis.
Në të gjithë Gazën, zonat e banuara kanë mbetur të rrënuara, rrugët tregtare të frekuentuara më parë janë kthyer në gërmadha, universitetet dhe tokat bujqësore gjithashtu janë shkatërruar, për t’ja lënë vendin tendave që ngrihen në kufirin jugor për të strehuar mijëra njerëz të mbetur pa shtëpi.
Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 1.7 milionë njerëz, më shumë se 80% e popullsisë së Gazës, janë të zhvendosur, me gati gjysmën e tyre që kanë mbushur skajin më jugor të rripit.
Referuar të dhënave satelitore të marra nga BBC rezulton të jenë dëmtuar ose shkatërruar në të gjithë Gazën midis 144,000 dhe 175,000 ndërtesa, ose nga 50% deri në 61%.
BBC shkruan ndër të tjera se ushtria izraelite justifikohet me faktin se sulmet në zonat civile janë bërë për shkak se mes banorëve, infiltrohen edhe luftëtarët e Hamasit.
Një shembull ishte Universiteti Israa, në Gazën veriore, fillimisht i dëmtuar rëndë para se të hidhej në erë plotësisht përmes një shpërthim masiv të kontrolluar.
Shumë nga vendet historike të Gazës kanë pësuar dëmtime të mëdha, duke përfshirë Xhaminë al-Omari të ndërtuar në shekullin e 7-të. Pikërisht shkatërrimi i objekteve fetare në Gaza, sipas ekspertëve është më i madh në krahasim me vendet e tjera të luftës.