Gazeta amerikane zbulon planin, Putin-Le Pen po punojnë për rrëzimin e Emmanuel Macron
Jo pak publikime janë shkruar për marrëdhënien mes lideres së ekstremit të djathtë francez Marine Le Pen dhe Presidentit rus Vladimir Putin.
Sipas një artikulli të publikuar në nisje të 2024-ës nga Washington Post, politikania franceze këmbëngul të mbajë marrëdhënie të ngushta me Kremlinin, me synimin për të ulur shkallën e mbështetjes së Parisit zyrtar ndaj Ukrainës.
Sipas hetimit të gazetës amerikane, Rusia ka planifikuar një operacion për rrëzimin e Emmanuel Macron në Francë, në të cilin partia e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen luan një rol të rëndësishëm.
Gazeta citon dokumentet e Kremlinit të marra nga një shërbim evropian i sigurisë që implikojnë rrethin e ngushtë të Putinit, metodat e të cilit kombinojnë ndikimin e mediave sociale dhe mbështetjen për partitë e ekstremit të djathtë, në strategjinë anti-Macron.
Sipas WP, qëllimi më i gjerë i këtij plani është destabilizimi i Evropës. “Të gjitha qeveritë e Evropës Perëndimore do të ndryshojnë“, shprehet i sigurtë Jean-Luc Chafozet, një ish-deputet i BE-së i lidhur me partinë e Le Pen, i cili citohet nga gazeta amerikane.
Investigimi i botuar të shtunën thekson gjithashtu se Chafozet “i jep me qira një kat të rezidencës së tij” në Strasburg, komandantit të dytë të ambasadës ruse në Francë, i cili ishte në Këshillin e Evropës deri në përjashtimin e Rusisë nga marsi 2022.
Qershorin e kaluar, raportuesi i qeverisë Macron në një komision parlamentar e kishte përshkruar partinë e Le Pen si një “rrip transportues” të qëllimeve të Rusisë dhe këmbënguli në “përafrimin e partisë së saj me diskursin rus“.
“Partia e Le Pen është me të vërtetë përfaqësuesja e Kremlinit në Francë dhe luan një rol parësor në transmetimin e propagandës së Putinit”, u tha në një reagim të partisë së Emmanuel Macron në një mesazh në platformën X.