Gazeta dhe revista të përzgjedhura shkruajnë për Adem Demaçin

27 shkurt 2018 | 10:30

Selatin Novosella

“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (14)

4. Revista “Alternativa” (Nr. 1/2, janar/shkurt 1990). Në intervistën për revistën “Alternativa”, Adem Demaçi, tha: “Askush, pra as armata dhe policia jugosllave, nuk mund t’u premtojnë siguri shqiptarëve të Kosovës në qoftë se ata do të ndjehen si robër, të shtypur dhe pa të drejta. Ndërkaq, kurrfarë zgjidhje nuk mund të ketë pa shqiptarët ose kundër tyre”.

5. Revista “Alternativa” (Nr. 5, maj 1990). Adem Demaçi: “Kam dëshirë të më quani vëlla”
Pyetjen e parë që i bëri gazetari i revistës “Alternativa”, Adem Demaçit, i cili para pak kohësh u lirua nga vuajtja 28-vjeçare e burgut, se si ta thërrasin, ai u përgjigj: “Zotëri – jo! Dikush më quan zotëri, por s’kam ç’t’i bëjë. Le të më quajnë si të donë. As Shok! Sepse, për disa, shoku mund të mos jetë i dashur. Quamëni vëlla, sepse vëllai është i dashur dhe i pranueshëm për të gjithë”.

6. Gazeta “Nedelja” (13 maj 1990). Adem Demaçi: “Për formimin e Shqipërisë së dytë do të duhej të kundërshtonte Shqipëria”
Në intervistën për gazetën e Sarajevës “Nedelja”, Adem Demaçi, deklaroi: “Në qoftë se ndokush do të duhej të kundërshtonte formimin e Shqipërisë së dytë, siç thoni ju për Republikën e Kosovës, atëherë ajo do të duhej të jetë Shqipëria. Megjithatë, këtë Shqipëria nuk e kundërshton, ndërsa shqiptarët e Kosovës nuk mund ta pranojnë statusin e pakicës, meqë ata janë populli i tretë në Jugosllavi”.

7. Revista “Fjala” (1 qershor 1990). Adem Demaçi: “Inteligjencia jonë ka një vlerë shumë të madhe”
Në intervistën për revistën “Fjala” shkrimtari i njohur, Adem Demaçi, tha: “Intelektualët tanë janë superior edhe sa i përket gatishmërisë për sakrificë, për flijim për të vërtetën, për të mirën e njerëzimit, kështu që në sytë e mi inteligjencia jonë ka një vlerë shumë të madhe, prandaj edhe jam krenar që i përkas kësaj inteligjencie. Edhe e dua fort”.

8. Radio “Zëri i Amerikës” (18 nëntor 1990). Adem Demaçi: “Forcat demokratike në Bosnje, Mal të Zi dhe Serbi do të çelin perspektiva edhe për shqiptarët e Kosovës”
Për emisionin e Radios “Zëri i Amerikës” veprimtari i shquar, Adem Demaçi, deklaroi: “Në qoftë se ndodhë që të fitojnë forcat demokratike në Bosnje dhe eventualisht në Mal të Zi ose edhe në Serbi, atëherë do të çelet përspektiva edhe për popullin shqiptar në Kosovë”.

9. “Radio Shqiptari” (24 shkurt 1991). Adem Demaçi: “Shqipëria na mbajti gjallë shpirtin tonë”
Simboli i rezistencës kombëtare, Baca Adem Demaçi, në intervistën e dhënë për “Radio Shqiptarin”, në Detroid, tha: “Shqipëria është mbështetja jonë strategjike, Shqipëria është shtylla jonë, Shqipëria ishte ajo që na e mbajti gjallë shpirtin tonë që të mos harrojmë çka jemi”.

10. “Radio Beogradi II” (29 mars 1991). Adem Demaçi: “Pse shqiptarët të mos iu ngritin përmendore Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit?!”
Në intervistën e gjatë të dhënë për “Radio Beogradin II”, në Beograd, Adem Demaçi tha: “Kur serbët u ngritin përmendore mbretërve dhe princërve të tyre, pse të mos u ngritim përmendore edhe shqiptarët Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit? Kur serbët këndojnë këngë patriotike “igraju se delije usred zemle Serbije”, atëherë pse edhe shqiptarët të mos e bëjnë të njëjtën gjë e të këndojnë “O prite, prite Azem Galica!”.

11. Gazeta “Bashkimi” (Maj 1991). Adem Demaçi: “Pa organizimin e faktorit të brendshëm nuk mund të zgjidhen problemet në Jugosllavi”
Në pyetjen e gazetës “Bashkimi” e cila botohet në Prishtinë, Adem Demaçi, tha: “Unë nuk mendoj se vetëm faktori i jashtëm me të gjitha mundësitë e tij të shumta (si ato ekonomike, financiare, shkencore, teknike, teknologjike, diplomatike e propagandistike) do të jetë në gjendje që ta zgjidhë çështjen e Jugosllavisë në mënyrë paqësore. Pa organizimin e fuqishëm demokratik adekuat të forcave antihegjemoniste edhe brenda Jugosllavisë, rreziku nga gjakderdhja nuk besoj se mund të evitohet”.

12. Gazeta “Zëri” (28 mars 1992). Adem Demaçi: “Është meritë e Partisë Socialiste që nuk ndodhi gjakderdhja në Shqipëri”
Adem Demaçi, duke komentuar zgjedhjet e para shumëpartiake në Shqipëri, në gazetën “Zëri” të Prishtinës, deklaroi: “Kjo është një fitore e gjithë popullit shqiptar. Më në fund, kjo është një fitore edhe e ish-Partisë së Punës, përkatësisht Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ky ishte një projekt shumë delikat dhe shumë i rëndë. Pra, ishte projekt i dorëzimit të pushtetit. Dhe është një sukses i tyre. Kjo s’duhet t’u mohohet. Historia do të dëshmojë këtë gjë”.

13. Gazeta “Rilindja” (25 gusht 1992). Adem Demaçi: “Jam munduar ta jap një pasqyrë për të vërtetën në Kosovë”
Në intervistën e gjatë të Adem Demaçit për gazetën “Rilindja” në Zvicër, jepë këtë informatë: “Jam angazhuar që në takimet e mia me personalitete të ndryshme të jap mendimin tim dhe një pasqyrë të përgjithshme për të vërtetën në Kosovë. Jam takuar me një numër të madh personalitetesh në vendet evropiane siç janë: Belgjika, Danimarka, Holanda, Gjermania, Suedia por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kam pasur biseda me senatorë, kongresmenë, sekretarë shtetesh etj., me të cilët kam biseduar gjatë për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, e prej të cilëve kam kërkuar që të angazhohen shumë më tepër për zgjidhjen paqësore të çështjes shqiptare”.

14. Gazeta “Telegraf” (10 janar 1996). Adem Demaçi: “Pala serbe më tepër po aktron se është e gatshme të bisedojë me shqiptarët”
Adem Demaçi, në një intervistë ekskluzive për gazetën beogradase “Telegraf” të 10 janarit 1996, thotë: “Pala serbe më tepër po aktron se është e gatshme për bisedime me shqiptarët e Kosovës. Në të vërtetë, ajo përgatitet për diçka tjetër, në formë të diktatit, e cila do t’i vente shqiptarët para aktit të kryer. Regjimi serb, nëse donë të bëjë bisedime, së pari duhet të jap shenja të qarta se ajo është e gatshme që të heq gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, t’i tërheq forcat ushtarake-policore dhe t’ua kthej shqiptarëve ato që me dhunë ua ka marrë”!

15. Emisioni shqip i BBC-së (20 mars 1996). Adem Demaçi: “Kjo Serbi është e papranueshme edhe për popujt sllav, sllovenët, kroatët, boshnjakët, maqedonasit dhe malaziasit”
Adem Demaçi, në një intervistë për emisionin shqip të BBC-së, thotë: “Unë kam ardhur në Evropë që t’i paralajmëroj qarqet evropiane, personalitetet dhe institucionet e ndryshme evropiane se kjo zgjidhje të cilën ata e mendojnë se do të mund të fle për Kosovën, se mund të realizohet, se do të mund të zbatohet, duke pasur për bazë njëfarë autonomie për Kosovën, domethënë duke i lënë shqiptarët nën mëshirën e kësaj Serbie, e cila është e papranueshme edhe për popujt sllave, siç janë sllovenët, kroatët, boshnjakët, maqedonasit dhe malaziasit, kjo nuk do të jetë zgjidhje fatlume”.

16. Gazeta “Frankfurter Rundschau” (8 shtator 1998). Adem Demaçi: “Hill dhe Holbruk nuk e kuptojnë mirë natyrën e regjimit serb!”
Adem Demaçi në intervistën për gazetën gjermane “Frankfurter Rundschau”, përveç tjerash, deklaroi: “Unë frikësohem se Hill dhe Holbruk nuk e kuptojnë mirë natyrën e regjimit serb. Ne i njohim këta edhe nga Sllovenia, nga Kroacia dhe nga Bosnja. Nëse nuk intervenojnë Evropa dhe Amerika në Serbi nuk di se për ç’arsye ekzistojnë OKB-ja, NATO-ja dhe OSBE-ja, nëse ato nuk janë të afta për të reaguar?!”

17. Gazeta “Kosova sot” (18 shkurt 2008). Adem Demaçi: “Adem Jasharit do t’i thosha – Jugosllavi më s’ka!”
Në pyetjen e gazetës prishtinase “Kosova Sot” që i bëhet Adem Demaçit “Çka do t’i thoshe Adem Jasharit”, Demaçi përgjigjet: “Adem Jasharit do t’i thosha – o vëlla, ti u flijove me familje dhe me shumë shokë të tjerë dhe me mijëra luftëtarë, heronj, dëshmorë. Mirëpo, ne arritëm atë që kërkuam me shekuj, Jugosllavi më s’ka! Serbinë e kemi sjellë deri në atë shkallë sa të kthehet në ato trojet e vete, të cilat i kishin arritur serbët, pra dihet ajo Serbia e vitit 1912”.

18. Gazeta “Epoka e re” (21 dhjetor 2010). Adem Demaçi: “Lufta e UÇK-së ishte luftë e pastër”
Adem Demaçi, në intervistën për gazetën prishtinase “Epoka e re”, deklaroi: “Është e rëndësishme që lufta e shqiptarëve të Kosovës ishte e pastër dhe ky është argument kryesor që na mbron në raport me çfarëdo akuze. Prandaj, krahas hetimeve për akuzat ndaj UÇK-së, duhet të kërkohet edhe fillimi i hetimeve për krimet monstruoze të Serbisë, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha luftërat që ky shtet i ka shkaktuar në Ballkan”. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA Lehtësi e padurueshme e të…