Gazeta holandeze: Holanda mbyll derën për Serbinë në BE, shkak edhe Kosova
Qeveria e Holandës po synon të pengojë Serbinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Njëra ndër arsyet është edhe për shkak të mos-normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Ministri holandez Caspar Veldkamp, deklaroi se Serbia “nuk është ende gati” për hapin e ardhshëm dhe nuk ka arritur të bëjë “përparim të mjaftueshëm në fushën e sundimit të ligjit”.
Ai theksoi se pozicioni i politikës së jashtme të Serbisë nuk ka lëvizur mjaftueshëm në përputhje me politikën e jashtme të BE-së, siç kanë bërë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Pra, ne presim më shumë hapa nga Serbia”, u shpreh tutje, raporton media holandeze “Dutch Times”.
Të 27 shtetet anëtare duhet të bien dakord që një vend aspirant të bashkohet me bllokun.
Veldkamp shpreson se vendet e tjera të BE-së do të miratonin qëndrimin holandez “në mënyrë që Holanda të mos e vetme në këtë nismë.
Serbia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe negociatat aktuale filluan në vitin 2014.
Një nga pengesat më të mëdha është Kosova, e cila ishte pjesë e Serbisë deri në vitin 2008 kur shpalli pavarësinë.
Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por e konsideron atë si një krahinë autonome. Serbisë nuk i kërkohet të njohë pavarësinë e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE, por duhet të pranojë kufijtë e saj aktualë.
Muajin e kaluar Holanda ishte një nga disa vende që hodhën poshtë propozimin e Hungarisë për të çuar përpara bisedimet e pranimit.
Kroacia, Estonia, Finlanda, Gjermania, Letonia, Lituania, Holanda dhe Suedia ishin midis atyre që kundërshtuan masën.
Në veçanti, ata po e drejtojnë gishtin në historikun e paqartë të Beogradit për të drejtat themelore, marrëdhëniet me Kosovën dhe, veçanërisht, refuzimin e vazhdueshëm për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.