Gazeta italiane: Juventus mund të përjashtohet edhe nga UEFA, kjo është arsyeja

22 janar 2023 | 15:01

UEFA mund ta përjashtojë Juventusin nga të gjitha garat evropiane për shkak të mashtrimit financiar gjatë transferimit të lojtarëve, shkruan gazeta italiane “Gazeta dello Sport”.

Dy ditë më parë, gjykata sportive italiane gjobiti Juventusin me 15 pikë në Serie A për shkak të mashtrimit financiar gjatë transferimit të lojtarëve nga viti 2019 në 2021.

Në nëntor të vitit të kaluar, presidenti i atëhershëm i klubit, Andrea Agnelli, nënpresidenti, Pavel Nedved dhe disa nga bashkëpunëtorët e tyre më të afërt dhanë dorëheqjen për shkak të mashtrimit financiar.

Gjykata sportive italiane ka suspenduar disa ish-drejtues të Juventusit.

“Gazeta dello Sport” ka kujtuar se ish-drejtuesit e Juventusit përdorën transferimet e futbollistëve për të rritur artificialisht balancën në operacionet e klubit.

Gazeta italiane ka theksuar se UEFA po monitoron zhvillimin e situatës dhe vë në dukje se “shtëpia europiane e futbollit” mund ta përjashtojë klubin torinez nga kompeticionet evropiane.

“Dënimi do të hynte në fuqi në sezonin e parë në të cilin Juventusi fiton vendin në një nga tre kompeticionet evropiane. Kjo do të thotë se nëse në fund të këtij sezoni ‘Zonja e Vjetër’ nuk fiton një vend në Evropë, dënimi do të kalojë automatikisht në sezonin e ardhshëm”, ka shkruar gazeta italiane.

Juventus aktualisht është në vendin e 10-të në tabelë me 22 pikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesit gjerman, Marco Reus, do t’i përfundojë kontrata me skuadrën…