Gazeta izraelite: Pas presionit të Turqisë, Kosova mbase e kthen vendimin për Ambasadën në Jerusalem
Gazeta më e madhe izraelite “Haaretz” ka raportuar për rishqyrtimin e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem nga ana e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti pas presionit nga presidenti turk, Rexhep Erdogan.
Gazeta izraelite “Haaretz” artikullin e saj e ka nisur me titullin “Nën presion nga Turqia, Kosova mund ta kthejë mbrapsht vendimin për të hapur ambasadën në Jerusalem”.
“Të hënën Kurti u takua me ambasadorin e Turqisë në Prishtinë dhe vendimi për të hapur ambasadën e Kosovës në Jerusalem ka qenë njëra nga temat e diskutimit. Vendi ku do të vendoset ambasada do të rishqyrtohet pas rishikimit të dokumenteve të qeverisë në largim”, ka cituar media izraelite deklaratën e Kurtit pas takimit me ambasadorin turk.
Më 1 shkurt, Kosova ka lidhur marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe ka vendosur ta hap ambasadën e saj në Jerusalem, duke u bërë shteti i parë evropian me shumicë myslimane që merr këtë vendim, duke ndjekur ShBA-në dhe Guatemalën që kanë vendosur gjithashtu të hapin ambasadat e tyre në Jerusalem.
Presidenti turk Erdogan ka paralajmëruar Kosovën se një lëvizje e tillë mund t’i dëmtojë marrëdhëniet me shtetin e tij në të ardhmen.
“Unë besoj se do të ishte një përfitim për të mënjanuar një lëvizje të tillë që do t’i shkaktonte dëm të madh Kosovës”, kishte thënë Erdogani.