Gazeta kroate: Kosova, Brazili i Ballkanit që nuk i frikësohet askujt

20 tetor 2019 | 12:28

Refugjatë. Refugjatë të rritur në pjesë të ndryshme të Evropës, por të mbledhur nën një flamur. Flamurin e tyre. Në shtëpinë e tyre. Shtëpinë që madje kurrë se panë. E njohin nga tregimet – tregimet e përgjakshme dhe të tmerrshme të luftës. Refugjatë lufte që janë në rrugë për në Evropian. Dhe tani ata shkruajnë njëfarë tregimi të tyre. Në po atë vend ku para rreth tridhjetë vjetësh derdhej gjak pa mëshirë, ndërsa tani po lind një shpresë e re e futbollit. Janë hiti i kualifikimeve. I quajnë Brazili i Ballkanit. E ata s’i frikësohen askujt.

Ata janë – Kosova.

Kështu e nis shkrimin gazeta e njohur kroate, “Jutarnji List”, për kombëtaren e Kosovës në futboll.

Thotë se 17 nga lojtarët e saj janë të lindur në Zvicër, Gjermani, Suedi e Norvegji. Që do të thotë se 17 nga 25 lojtarët e kombëtares së Kosovës janë të lindur në kultura krejtësisht të ndryshme, të rritur në kushte krejtësisht tjera dhe kanë bërë jetë të një fëmije të zakonshëm evropian.

Tregon më tej se si meritat për pranimin e FFK-së në organizatat ndërkombëtare të futbollit i bartë legjenda Fadil Vokrri, pos Eroll Salihut, Kujtim Shalës, Ardijan Koznikut e Shefki Kuqit, transmeton Koha.net.

Por thotë se merita ka edhe diaspora e Kosovës, e cila thotë se ka trokitur, ka kërkuar e ka kumbuar. Ka shkruar letra, ka kërkuar takime. Me ndihmën e Federatës Kroate të Futbollit, thotë gazeta kroate, disa dyer edhe u janë hapur. Mirëpo, përgjigja vazhdimisht ishte e njëjta: “Nuk jeni shtet i njohur ndërkombëtarisht”.

Kontribut në ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës kanë dhënë edhe yjet e kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, por edhe Lorik Cana.

“Ishte show, një nga ditët më krenare të jetës sonë”, thotë sot Kujtim Shala, duke kujtuar ditën kur Kosova mori “PO”-në e madhe në FIFA e UEFA.

“Nuk ishte një letër e vetme, por ishte një mori letrash që i dërgonim ditë e natë, vazhdimisht. Nuk kishim para, por kishim ndikimin për të arritur deri tek njerëzit kryesorë, shkonim edhe përmes miqve tanë kroatë, sllovenë e gjermanë. Vetëm që Kosova të mbijetonte e të ishte e gjallë…”, kujton më tej Shala.

Gazeta thotë se tani kombëtarja e Kosovës, jo vetëm që është e gjallë, por është shndërruar në hit.

Tani, dy ndeshje pa përfunduar kualifikimet, Kosova është një pikë prapa Çekisë e katër prapa Anglisë. E që ndeshjet e mbetura i ka pikërisht me këto dy kombëtare. Por, edhe nëse s’e kalojnë këtë, “Jutarnji” kujton se Kosova ka edhe mundësinë përmes Ligës së Kombeve kundër Maqedonisë Veriore përmes barazhit.

Gazeta kujton edhe lufta për kualifikimet e para të Kosovës në Botëror më 2018, nga të cilat arkëtoi vetëm 1 pikë në barazimin me Finlandën 1-1. Atëherë thotë gazeta i përqeshën kur ëndërruan. Madje thotë se edhe lojtarë tjerë që kishin dy-shtetësi, e që njëra nga to ishte e Kosovës, përzgjidhnin kombëtaret tjera. Por thotë se tani, askush s’i përqesh, por thotë se tani respektohen gjithandej.

“Më parë vinin kryesisht lojtarë që s’mund të gjenin vend në përfaqësueset tjera. E tash? Tash krejt papritur të gjithë dëshirojnë të veshin fanellën e Kosovës”, thotë Lirim Kastrati, i cili luan për Lokomotivën e Zagrebit.

“Nëse janë të lindur në Mal të Zi, Maqedoni, apo diku tjetër, e gjyshërit i kanë nga Kosova, ata mezi presin të jenë pjesë e kësaj. Ndiejnë atë krenarinë shpërthyese dhe përparimet që po i bëjmë si ekip”.

“Jutarnji List” shkon më tej duke i dhënë meritat edhe trajnerit të Kosovës, Bernard Challandes. Thotë se ndoshta momenti i kthesës ka qenë pikërisht emërimi i tij për të drejtuar Kosovën, pasi nga ardhja e tij, Kosova ka zhvilluar 17 ndeshje me 11 fitore, pesë barazime dhe një humbje ndaj Anglisë, dhe atë me rezultat 5-3. Nga një lilipute, Kosova u shndërrua në një luan ballkanik, duke kafshuar këdo që i del përpara.

“Nuk u frikësohemi asnjërit! Dhe këtë e kemi dëshmuar me tri gola ndaj Anglisë, dhe këtë do ta dëshmojmë edhe ndaj Çekisë e Anglisë në ndeshjet e mbetura. Ju them, 100 për qind do t’i ‘rrahim’ çekët dhe më pas përballemi me Anglinë. Edhe nëse s’ia dalim, jam i bindur se jemi më të mirë se Maqedonia Veriore. Dhe se do ta mbajmë premtimin: Kosovën do ta shikoni në Evropian”, ka thënë më tej Kastrati për gazetën, transmeton Koha.net.

Ai thotë se përzgjedhësi zviceran i Kosovës është i mrekullueshëm dhe ka ndikim të madh në ekip.

“Na e ka ndërtuar frymën ekipore dhe na ka mësuar të mos i frikësohemi askujt. Kjo është një nga gjërat kryesore që ka ndodhur”, ka thënë Kastrati.

Gazeta kroate thotë se lojtarët kyç te Kosova janë lojtarët e rritur e zhvilluar jashtë Kosovës, ndërsa kujton se vetëm një, Visar Bekaj, është i zhvilluar në ligën vendore.

“Figurat kyçe të përfaqësueses janë padyshim portieri Ujkani (Torino), i riu i mrekullueshëm Milot Rashica (Werder), krahu Bersant Celina (Swansea), shumë i talentuari Idriz Voca (Luzern), tashmë i dëshmuari Valon Berisha (Lazio), sulmuesi më i mirë Vedat Muriqi (Fenerbahçe) si dhe ish-lojtari i Dinamos dhe lideri Amir Rrahmani, i cili nga kjo sezon është në Verona”, shkruan gazeta.

“Por, keni kujdes”, paralajmëron Shala. “Në pritje, në mesin e fëmijëve, shansin e presin edhe disa dhjetëra talente tjera…”.

“Kjo është një përfaqësuese që gjithçka ka bërë me krenari. Këta djem janë të përkryer, janë një mrekulli në të cilën vetëm duhet besuar. Ndoshta është një gjë që të gjithë atyre, sikurse neve dikur, na shkon për dore. Të gjithë jemi dalë nga balta. Ata ndoshta s’e kanë provuar, por e kanë trashëguar nga prindërit. Dhe kur e kaloni baltën, atëherë gjithçka është e mundur. Për këtë arsye Majlinda Kelmendi është e paimitueshme, kampione olimpike, e cila deri më tani ka qenë ambasadori më i mirë i Kosovës në botë”, thotë me krenari Kozniku, derisa Shala ia aprovon të gjitha me tundje koke poshtë-lartë.

Ai kërkon krijimin e një ure mes FFK-së dhe FKF-së pasi që, sipas Koznikut, atje “pos Davor Shukerit, ka edhe njerëz tjerë që na kanë ndihmuar”.

Kozniku thotë se Kosova është e gjallë, dhe nuk do të ndalet asnjëherë, madje as kundër Anglisë.

Në shkrim përmendet edhe fakti se biletat për ndeshjen me Anglinë në “Fadil Vokrri” janë shitur për 9 minuta.

“Më parë, ndoshta Kosovën vinin ta shikonin rreth 200 persona”, thotë Kastrati, ndërsa gazeta thotë se tani Kosova është ngritur dhe gati për të bërë një sensacion.

Arijanet Samir Muriqi – Schlieren (Zvicër). Leart Shukri Paqarada – Bremen (Gjermani). Florent Hadergjonaj – Langnau (Zvicër). Ibrahim Dresheviq – Fuxerna (Suedi). Valon Berisha – Malmö (Suedi). Herolind Shala – Porsgrunn (Norvegji). Edon Zhegrova – Herford (Gjermani). Benjamin Kololli – Aigle (Zvicër). Idriz Voca – Stans (Zvicër). Florent Muslija – Achwrn (Gjermani). Elbasan Rashani – Hillerstorp (Suedi). Arbenit Xhemajli – Brugg (Zvicër). Mirlind Kryeziu – Zürich (Zvicër). Besar Halimi – Frankfurt (Gjermani). Arbër Zeneli – Säter (Suedi). Hekuran Kryeziu – Luzern (Zvicër). Donis Avdijaj – Osnabrück (Gjermani)…

“Refugjatë. Refugjatë lufte. Të cilët megjithatë pak më mirë luajnë – futboll…”, përfundon shkrimin e gazetës së madhe kroate, “Jutarnji List”.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia e Drejtësisë (PD) ka njoftuar se me vëmendje është…