Gazeta malazeze: Gjukanoviq u informua nga Kosova se po përgatitet atentat ndaj tij
Gazeta malazeze “Vijesti” ka raportuar sot se ish-presidenti i këtij vendi, Milo Gjukanoviq, ka qenë cak i një tentim-vrasjeje të planifikuar dhe se për këtë i ka njoftuar edhe autoritetet e vendit.
Policia malaziase të premten vonë ka thënë se nuk ka të dhëna që tregojnë se po rrezikohet siguria e Gjukanoviqit. Agjencia e Sigurisë Kombëtare nuk ka dhënë koment.
“Ish-presidenti i ka marrë informacionet e lartpërmendura nga disa zyrtarë ndërkombëtarë nga komuniteti i inteligjencës dhe me atë informacion ka njoftuar autoritetet shtetërore”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Gjukanoviqit për “Vijesti”.
Zyra nuk ka treguar se kush dhe kur i janë dhënë këto informacione Gjukanoviqit.
Sipas burimeve, zyrtari i lartë ushtarak nga Kosova e ka informuar ish-presidentin malazias se një grup i organizuar kriminal nga një vend fqinj dyshohet se po planifikonte të kryente atentatin, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë së një vendi tjetër fqinj.
“Sipas nenit 18 të Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, me përfundimin e detyrës, presidenti ka të drejtë për sigurim të përhershëm personal në përputhje me vlerësimin e sigurisë të përcaktuar nga organi kompetent, në pajtim me ligjin. Agjencia e Sigurisë Kombëtare është përgjegjëse për përgatitjen e raporteve për vlerësimin e kërcënimeve të sigurisë”, ka thënë Policia.
Duke iu përgjigjur pyetjes se a është rritur siguria e Gjukanoviqit, zyra e tij ka njoftuar se ajo është reduktuar.
“Ndryshimet e sigurisë kanë ndodhur deri në atë masë sa që siguria në vendbanimin e ish-presidentit është hequr gjatë ndërrimit të ditës”, thuhet në përgjigje.
Sipas zyrës së Gjukanoviqit, ish-presidenti nuk është ftuar për intervistim nga shërbimet malaziase të sigurisë.
62-vjeçari ishte president i Malit të Zi nga 2018-ta deri më 2023. Njihet për qëndrimet pro-Kosovës.